Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka aprovuar 3 milionë euro për të mbuluar kostot e Kartonit të Gjelbër për bashkatdhetarët gjatë verës.
Nga korriku, mërgimtarët që hyjnë në Kosovë me makinë nuk do të duhet të paguajnë këtë shpenzim shtesë, pasi do të subvencionohet nga shteti nëpërmjet masës 4.5 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Gërvalla theksoi rëndësinë historike të diasporës në ndërtimin e shtetit, duke e vlerësuar atë si një pjesë të rëndësishme të zhvillimit të vendit. ‘3 milionë euro për mbulimin e Kartonit të Gjelbër për mërgatën gjatë sezonit veror.
Qeveria miratoi 3 milionë euro për mbulimin e Kartonit të Gjelbër për mërgatën gjatë sezonit veror.
Nga korriku e tutje, mërgimtarët që hyjnë në Kosovë me vetura nuk do të përballen me këtë kosto shtesë, pasi ajo do mbulohet nga shteti në kuadër të zbatimit të masës 4.5, mbështetja e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike’, ka shkruar ministrja në detyrë.
Gërvalla shtoi se mërgata jonë ka qenë pjesë e pandashme e çdo etape të shtetndërtimit të Kosovës, duke filluar nga sakrificat për lirinë deri te pavarësia dhe forcimi i institucioneve dhe zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i vendit. ‘Kjo masë është shprehje e respektit të jashtëzakonshëm të shtetit ndaj këtij roli historik dhe të vazhdueshëm tuajin. Është një mënyrë për t’ua lehtësuar rrugën drejt shtëpisë dhe për t’ua thënë qartë, Kosova ju pret gjithmonë si pjesë të pandashme të saj.
Bashkatdhetarë, mirë se vini në shtëpinë tuaj.
Kosova do t’ju mbajë gjithmonë ngrohtësisht në zemër’, ka shkruar Gërvalla.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





