Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Valon Murati, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në protestën e natës së 14-të, organizuar në kundërshtim me vendimet e Dhomave të Specializuara të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Murati theksoi se UÇK-ja nuk përfaqësohet vetëm nga dëshmorët e saj, por edhe nga ish-pjesëtarët që janë ende gjallë, duke përmendur emra të njohur si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Sali Mustafën – Cali dhe Pjetër Shalën. “UÇK-ja dhe lufta jonë për liri nuk është vetëm një terminologji abstrakte, as vetëm dëshmorët e saj.
UÇK-ja ishin dhe janë edhe djemtë dhe vajzat më të mira të kombit shqiptar që sot janë gjallë.
UÇK-ja dhe liria e Kosovës janë përfshirë edhe në emrat si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Sali Mustafa – Cali e Pjetër Shala.
Sot, ne përballemi me një situatë të rëndë, ku këta djem të rinj, që me vizionin e tyre politik dhe trimërinë sfiduan robërinë kur ishin të rinj, tani mbahen padrejtësisht në Hagë,” shprehu Murati.
Ai kritika vendimet e Dhomave të Specializuara, duke theksuar se ato nuk kanë prekur vetëm individët që po gjykohen, por edhe mënyrën se si është interpretuar lufta e UÇK-së. “Nuk mbahen peng vetëm ata, por vendimet e Dhomave të Specializuara kanë goditur rëndë edhe thelbin e luftës sonë të drejtë çlirimtare, duke shpallur SHP të UÇK-së, Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale.
Sot, duke ngritur lart grushtin si Presidenti Thaçi, grushtin që është kthyer në simbol të këtyre protestave, të unitetit dhe mosnënshtrimit tonë, ne themi: Jo në emrin tonë!!!” theksoi ai.
Murati e vlerësoi luftën e UÇK-së si të domosdoshme për arritjen e lirisë, duke iu referuar gjithashtu deklaratave të Sali Mustafës – Calit gjatë procesit gjyqësor. “Cali gjatë gjykimit të tij tha se Lufta Çlirimtare e UÇK-së ishte e pashmangshme dhe e domosdoshme.
Ishte e pashmangshme sepse mund të na imponohej nga Serbia dhe nuk kishim rrugë tjetër, dhe ishte e domosdoshme nëse e donim lirinë dhe pavarësinë.
Ne nuk e kemi dashur luftën.
Por e kemi dashur lirinë më shumë se jetën.
Andaj këtu jemi, si gjithmonë, në mbrojtje të fryteve të lirisë, në mbrojtje të shokëve tanë në Hagë, në mbrojtje të udhëheqësve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe në mbrojtje të luftës së UÇK-së,” ka deklaruar ai.
Në fund të fjalimit, Murati theksoi rolin e rinisë, duke thënë se brezi i ri vazhdon mesazhin e UÇK-së dhe të lirisë.
Ai theksoi se kjo përgjegjësi po kalon te të rinjtë, të cilët po e kthejnë simbolikën e UÇK-së te qytetarët. “E në këtë rrugë ne po e dorëzojmë stafetën, apo më mirë themi, rinia jonë e mrekullueshme po e merr stafetën e UÇK-së dhe po ia kthen në gjirin e tij krejt popullit, duke shndërruar prapë të lavdishmen UÇK në simbolin më të madh të lirisë së Kosovës, popullit shqiptar dhe bashkimit kombëtar,” përfundoi ai.
Artisti i njohur, Hysni Klinaku, gjithashtu ka shprehur përkrahjen për ish-krerët e UÇK-së, duke theksuar se liria u fitua me gjak, luftë dhe diplomaci. “Këta burra luftën e bënë përkrah Adem Jasharit e Zahir Pajazitit.
E bënë përkrah Shkëlzenit e Luan Haradinajt.
Luftën për lirinë e Kosovës e bënë përkrah Fehmi Lladrovcit e Mujë Krasniqit.
Prandaj sot ne nga këtu duhet të kujtojmë dhe kurrë mos të harrojmë atë që kemi fituar.
Kosovën e lirë kështu na e falën.
Atë liri e fituam me gjak, e paguam me jetë dhe luftën edhe me diplomaci.
Nga kjo luftë lindi një realitet i ri që bota e civilizuar e njeh, në masë të madhe e gjithë bota, si Republika e Kosovës,” tha Klinaku.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





