Propozimi për ndryshimin e Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba në Komunën e Prishtinës ka nxitur reagime nga bizneset dhe profesionet e lira.
Avokatët kërkojnë që taksat të jenë të studiuara mirë, proporcionale dhe në përputhje me parimet e barazisë dhe sigurisë juridike.
Nga Komuna thonë se janë duke shqyrtuar vërejtjet e pranuara dhe se avokatët nuk do të preken nga tarifat e propozuara.
Propozimi për tarifat e reja ka ngjallur reagime nga përfaqësues të bizneseve dhe palë të tjera të interesit.
Avokatët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me këtë çështje, kërkuar që taksat të jenë proporcionale dhe të kenë parasysh barazinë e qytetarëve para ligjit, si dhe sigurinë juridike dhe ekonomike.
Arbër Jashari, avokat, tha se “Taksat duhet të jenë shumë mirë të studiuara dhe duhet të vlerësohen të gjitha rrethanat, përfshirë edhe rrethanat ekonomike në të cilat funksionojnë të gjitha subjektet, përfshirë këtu profesionet e lira si avokatia, noteria, përmbaruesit privatë dhe të tjera”.
Luftar Braha, drejtor i Zhvillimit Ekonomik dhe Inovacionit, thotë se avokatët nuk do të preken, dhe do të kenë një taksë minimale ose hiqen si kategori.
Qëllimi i rregullores është ndërtimi i një sistemi më të qartë, transparent dhe të drejtë të tarifave komunale.
Dokumenti do të jetë në konsultim publik deri më 24 qershor.
Burimi origjinal i informacionit: zeri.info





