Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Çedomir Aksiq, në seancën e së hënës Prokuroria kërkoi që të bëhet bashkimi i dy aktakuzave, në të cilat po gjykohet Aksiqi, këtë ku gjykohet vetë me atë të masakrës së Reçakut, ku ngarkohet me 20 të akuzuar të tjerë.
Prokurorja speciale Habibe Salihu tha se duhet të lejohet ky propozim për të mos dëmtuar një grup të madh të të dëmtuarve.
Avokati Ymer Berisha e përkrahu vendimin e shkallës së dytë dhe kërkoi eliminimin e shkeljeve procedurale për një gjykim të drejtë.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, konstatoi se vendimi për propozimin do të merret jashtë seancës.
Aktakuza përshkruan vrasjet mizore, trajtimin çnjerëzor, dëbimet dhe shkatërrimin e pasurisë së civilëve.
Burimi origjinal i informacionit: zeri.info






