Presidentja Shiroka Pula nderon 70-vjetorin e Revolucionit Hungarez në Kosovë

Presidentja Justina Shiroka Pula mori pjesë sonte në pritjen e organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë, për nder të 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, Presidentja theksoi se në këtë përvjetor, “jemi bashkë sonte për ta kujtuar guximin e qytetarëve hungarezë në përpjekjen e tyre për liri, dinjitet dhe pavarësi.” Ajo theksoi se populli i Kosovës e kupton mirë rëndësinë e lirisë për një komb. “Historia jonë, duke filluar nga qëndresa e Gjergj Kastriotit Skënderbeut deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpallja e pavarësisë, dëshmon për përpjekjen e vazhdueshme të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre.” Presidentja vuri në dukje se lidhjet historike ndërmjet shqiptarëve dhe hungarezëve dëshmohen edhe nga marrëdhëniet e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me heroin tuaj Janosh Huniadin dhe, më vonë, me të birin e tij, Matias Korvinin. “Këto marrëdhënie zhvilluan në një periudhë të rëndësishme të historisë evropiane,” theksoi ajo.

Sipas Presidentes, shembulli i tyre na rikujton se bashkëpunimi ndërmjet popujve, kur mbështetet në interesa dhe synime të përbashkëta, mund t’i kapërcejë kufijtë dhe dallimet. “Kjo trashëgimi historike përbën një pikë referimi të rëndësishme edhe në marrëdhëniet e sotme ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.


- Advertisement -

Miqësia ndërmjet dy vendeve është dëshmuar edhe në kohën tonë, përmes marrëdhënieve diplomatike, bashkëpunimit në fushën e sigurisë, arsimit dhe ekonomisë.

Hungaria e njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës në mars të vitit 2008 dhe aktualisht kontribuon me mbi 400 trupa në misionin e KFOR-it, i cili ka rol të rëndësishëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabilitetit në Kosovë,” theksoi Presidentja.

Shiroka-Pula theksoi se për Kosovën, miqësia me Hungarinë është pjesë e një marrëdhënieje që ndërthur historinë me bashkëpunimin e sotëm dhe synimet për të ardhmen. “Ne besojmë se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve mund të forcohen më tej përmes respektit të ndërsjellë, dialogut të hapur dhe bashkëpunimit konkret.

Si Kosova, ashtu edhe Hungaria kanë interes që Evropa të jetë një hapësirë paqeje, sigurie, demokracie dhe mundësish për të gjithë qytetarët,” deklaroi Presidentja.

Në fund, ajo shprehu bindjen se miqësia ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë do të vazhdojë të zhvillohet në dobi të qytetarëve tanë dhe të një të ardhmeje evropiane të ndërtuar mbi paqen, lirinë dhe bashkëpunimin.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *