Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në ceremoninë e rivarrimit të Sinan Dautit.
Me këtë rast, ajo tha se sot jemi mbledhur këtu në Prekazin e Epërm, në një ditë të rëndë dhimbjeje dhe kujtimi, për t’i dhënë më në fund prehjen Sinanit 9 vjeçar, për trupin e të cilit nuk dinim asgjë për 27 vite.
Sinani ishte vetëm 9 vjeç, një fëmijë që duhej të rritej mes lojës, shkollës dhe ëndrrave për të ardhmen.
Por, jeta e tij u ndërpre në mënyrë tragjike në ditët më të errëta të luftës në Kosovë.
Më 12 prill 1999, në lagjen Bregaj të Prekazit, gjatë sulmeve dhe granatimeve të forcave serbe, Sinani u plagos rëndë.
Pas largimit me forcë të familjes së tij nga fshati, ai u dërgua fillimisht në spitalin e Skenderajt, e më pas edhe në spitalin e Mitrovicës ku edhe ndërroi jetë.
Këto dëshmi janë të dhimbshme që mbeten pjesë e historisë sonë dhe e kujtesës sonë kolektive.
Kjo ngjarje na kujton çmimin e madh të lirisë që populli ynë ka paguar.
Kjo ngjarje na obligon të mos harrojmë kurrë historinë tonë.
