Pretendimet e Gjykatës Speciale se të paraburgosurve u mundësohen vizita në Kosovë për arsye humanitare nuk qëndrojnë, sipas kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.
Ai thotë se lejimi i vizitave të kufizuara pas vdekjes së familjarëve nuk mund të konsiderohet humanizëm, derisa kujton se disa prej të akuzuarve nuk janë lejuar as të marrin pjesë në varrimet e më të afërmve të tyre.
Gucati numëroi rastet me të cilat të burgosurit në Hagë u përballen, e që nuk u lejuan nga Gjykata Speciale që të ishin pjesëmarrës në varrim.
Ai tha se kërkesat e shumta për lejimin e ish-presidentit Hashim Thaçi që të qëndronte pranë babait të tij të sëmurë nuk u morën parasysh nga Gjykata Speciale.
Gucati krahasoi trajtimin e të akuzuarve nga Gjykata Speciale me rastet e Tribunalit të Hagës, duke thënë se në atë kohë të paraburgosurve u ishte mundësuar pjesëmarrja në varrimet e familjarëve.
Gjykata Speciale ka publikuar një video në rrjetin social X për të treguar kornizën ligjore të kësaj gjykate që ‘u lejon të paraburgosurve të kërkojnë një vizitë në Kosovë për arsye bindëse humanitare’.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





