Aktorja dhe këngëtarja britanike, Cynthia Erivo, ka bërë një rrëfim të fortë për periudhën kur ishte studente në Akademinë Mbretërore të Artit Dramatik (RADA), duke pretenduar se është detyruar të këndonte prapa skenës, ndërsa aktore të tjera sinkronizonin buzët gjatë një shfaqjeje.
Ylli i filmit Wicked, 39 vjeç, shkruan në kujtimet e saj të reja Simply More se gjatë produksionit studentor të muzikalit Company të Stephen Sondheim, iu dha një rol i vogël, ndërsa rolet kryesore iu besuan studenteve të tjera.
Kur dy prej tyre u sëmurën, Erivo priste t’i zëvendësonte në skenë, por, sipas saj, iu kërkua të këndonte nga prapaskena, ndërsa ato vetëm sinkronizonin me zërin e saj. “Kishte një zgjidhje shumë të thjeshtë: t’i zëvendësonin dhe të më linin mua të interpretoja.
Në vend të kësaj, më kërkuan të këndoja prapa skenë, ndërsa ato sinkronizonin buzët.
Pushtetarët ma morën zërin dhe ia dhanë dikujt tjetër”, shkruan Erivo.
Fituesja e çmimeve Grammy dhe Emmy, e cila ishte një nga vetëm katër studentët me ngjyrë në klasën e saj prej 34 vetash, thotë se gjatë studimeve është përballur edhe me “mikroagresione dhe keqkuptime”.
Ajo shton se ndihej sikur po fshihej, ndërsa të tjerat “përfitonin nga dhurata” e saj.
Ironikisht, vetëm pak ditë më parë RADA e emëroi Erivon artiste rezidente dhe tutore të praktikës vokale.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





