Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shfuqizuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili kishte lejuar votimin me dokumente identifikimi të skaduara në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Sipas PZAP-së, ankesa e paraqitur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është aprovuar si e bazuar, në kuadër të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Në arsyetimin e vendimit, paneli ka theksuar se pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, përgjigjes së KQZ-së dhe dokumentacionit përkatës, ka konstatuar se ankesa është e bazuar.
Sipas PZAP-së, KQZ-ja nuk ka pasur bazë ligjore për të lejuar votimin me dokumente të skaduara, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon dokumente të vlefshme identifikimi.
Paneli ka referuar në nenin 90, paragrafi 1 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, ku përcaktohet se votuesit duhet të identifikohen me dokument të vlefshëm si letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje.
Paneli ka vlerësuar se dispozita ligjore është e qartë dhe nuk lejon interpretime që do të trajtonin dokumentin e skaduar si të vlefshëm për votim.
Burimi origjinal i informacionit: atvlive.tv






