Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Lëvizja Fol, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, kanë njoftuar se nuk do ta vlerësojnë procedurën e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, duke argumentuar se procesi zhvillohet në rrethana që, sipas tyre, nuk garantojnë pavarësi institucionale.
Në një reagim të përbashkët, organizatat theksojnë se vendimi është marrë pas monitorimit të vazhdueshëm të RTK-së, i cili, sipas tyre, tregon se transmetuesi publik po përballet me presion politik në disa nivele.
Sipas tyre, në këto rrethana, Bordi i RTK-së nuk ka lirinë e nevojshme për të zhvilluar një proces të pavarur dhe profesional për zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm.
Megjithatë, AGK-ja, Lëvizja Fol, IKD-ja dhe Flutura Kusari kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë ta monitorojnë punën e Bordit të RTK-së dhe zhvillimet që lidhen me procesin e përzgjedhjes, por pa dhënë vlerësim për të.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





