Olivia Wilde ka folur hapur për periudhën e vështirë që përjetoi gjatë vitit 2022, kur ndarja e saj nga Harry Styles përkoi me publikimin e filmit “Don’t Worry Darling”.
Në një intervistë për podkastin e Louis Theroux, regjisorja dhe aktorja e përshkroi atë periudhë si traumatizuese, duke pranuar se polemikat e shumta e lanë në hije vetë filmin.
Wilde tha se publiciteti rreth jetës së saj private dhe thashethemet për konfliktet në prapaskenë bënë që vëmendja të largohej nga puna e ekipit që realizoi filmin.
Sipas saj, “Don’t Worry Darling” nuk mori mundësinë të vlerësohej për mesazhin dhe përkushtimin e njerëzve që punuan në të gjatë pandemisë.
Ajo pranoi se në atë kohë ishte naive për mënyrën se si funksionon interneti dhe mediet sociale, por tani e sheh gjithë situatën me më shumë qetësi dhe perspektivë. “Është interesante ta shohësh një tornado nga brenda”, u shpreh Wilde.
Regjisorja tha gjithashtu se përvoja me filmin e saj të ri, “The Invite”, ka qenë krejt ndryshe dhe në njëfarë mënyre shëruese.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





