
Miratimi i Ndryshimeve në Ligjin e Dhomave të Specializuara: Çfarë Nënkuptojnë Këto Ndryshime?
Pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ligji që rregullon punën e Dhomave të Specializuara ka rikthyer vëmendjen e opinionit publik në Kosovë.
Pas tri javësh debatesh dhe protestash, Kuvendi miratoi me shumicë votash në seancën e së martës, ndryshimet në këtë ligj.
Por, çfarë ndryshon konkretisht?
Dhomat e Specializuara nuk do të shfuqizohen, por me ndryshimet e miratuara preken disa nga elementet kryesore të funksionimit të tyre, si juridiksioni, periudha kohore, dënimet, vuajtja e dënimit dhe trajtimi i rasteve që nuk do të jenë më në kompetencën e tyre.
Me këto ndryshime, synohet që juridiksioni i Dhomave të lidhet ngushtësisht me pretendimet specifike të raportit të Dick Martyt, i cili ka të bëjë me nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore.
Këto akuzat ishin baza mbi të cilën u krijua gjykata, por nuk u përmendën gjatë gjykimit.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është periudha kohore që tani përcaktohet nga 1 korriku i vitit 1999 deri më 31 dhjetor 2000.
Kjo do të thotë se periudha para 1 korrikut 1999 nuk do të përfshihet më në juridiksionin e Dhomave të Specializuara.
Ndryshimet gjithashtu prekin dënimet.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 vjet.
Me ligjin e ri, neni 44 paragrafi 1 i ligjit nr; 05/L-053 përcakton se dënimi maksimal që mund të shqiptohet nga Dhomat e Specializuara tani është 15 vjet burgim, duke ulur automatikisht dënimet për ta.
Personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara do të kenë mundësinë për të vuajtur dënimin në institucionet korrektuese të Kosovës, nëse apeli vërteton dënimin.
Kjo do të thotë se ata do të kthehen në Kosovë për pjesën e mbetur të dënimit.
Për ata që kanë aktgjykim të formës së prerë, sipas nenit 51, ekziston mundësia për falje individuale nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në përputhje me procedurat përkatëse.
Aktualisht, lufta juridike për ish-krerët e UÇK-së pritet të vazhdojë në shkallën e Apelit.
Sipas ndryshimeve të miratuara, nëse një rast nuk hyn më në juridiksionin e Dhomave të Specializuara pas përfundimit të procedurave të apelit, ai do të transferohet në sistemin e drejtësisë së Kosovës.
Të gjitha mjetet e mëtejshme juridike do të trajtohen nga institucionet gjyqësore të Kosovës, përfshirë Gjykatën Supreme.
Sipas ligjit, nëse Apeli nuk ndryshon vendimin për Thaçin dhe të tjerët, rasti do të trajtohet nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe jo nga ajo në Hagë.
Ndërkohë, RTK-ja pyeti Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë për këto ndryshime, por përgjigjja ishte e shkurtër: “Faleminderit për komunikimin tuaj.
Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka koment.” Po ashtu, Dhomat e Specializuara nuk dhanë asnjë koment, duke theksuar se janë të përqendruara në përmbushjen e mandatit të tyre për të siguruar procedura gjyqësore të drejta dhe të paanshme.
Aktualisht, në Hagë ndodhen me aktgjykime dënuese Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info