Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka theksuar se sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë përbënte sulmin më të madh ndaj Republikës së Kosovës që nga çlirimi, duke e cilësuar atë si një sulm të planifikuar e të mbështetur nga Serbia.
Sveçla i bëri këto deklarata gjatë një akademie përkujtimore në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën gjatë përballjes me grupin paramilitar serb në Banjskë.
Ministri theksoi se ky sulm kishte si qëllim aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishin si detyrë mbrojtjen e qytetarëve, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. “Tre vite më parë, Republika jonë u ballafaqua me sulmin e përmasave më të mëdha që nga çlirimi.
Një sulm i planifikuar dhe i mbështetur nga karakteri shtetëror i Serbisë dhe i realizuar nga grupet e saj paramilitare.
Që nga orët e para të asaj dite, Banjska u shndërrua në arenë ballafaqimi jo vetëm mes dy palëve, por mes dy qëllimeve.
Serbia përmes terrorizmit të saj tentoi aneksimin e 17% të territorit të Republikës së Kosovës.
Ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishin detyrë të vetme mbrojtjen e qytetarëve, sovranitetit dhe tërësisë me territorin të Republikës sonë, të gjithë dhe secili veç e veç, duke qenë të vetëdijshëm se kjo mund t’u kushtonte edhe me jetë”, tha ai.
Duke folur për rreshterin Afrim Bunjaku, Sveçla theksoi se ai luftoi deri në momentet e fundit të jetës së tij dhe se tashmë është bërë udhërrëfyes për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. “Heroi Afrim Bunjaku luftoi deri në momentin e fundit të jetës së tij duke i shërbyer shtetit.
Atë ditë, ai ishte prisi i policëve tanë, që atëherë ai është udhërrëfyesi i tyre.
Rezistenca e tij dhe e Policisë së Kosovës bëri që të zbardhet në tërësi plani i elaboruar detajisht nga Serbia ndaj Republikës sonë.
Kjo nuk ishte një rënie e zakonshme dhe pikërisht për këtë është heroike.
Afrimi mbrojti kolegët e tij, qytetarët e vendit dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Sipas ministrit, shteti u mbrojt falë punës dhe përkushtimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët edhe pas vrasjes së kolegut të tyre vazhduan të qëndrojnë në krye të detyrës. “Shteti u mbrojt në tërësinë e saj edhe falë punës profesionale, guximit dhe përkushtimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët edhe pas humbjes së kolegut të tyre, qëndruan të palëkundur në krye të detyrës.
Ata u udhëhoqën nga shembulli i Afrimit dhe të dëshmorëve të tjerë para tij, por edhe nga përgjegjësia për të mbrojtur shtetin.
Në ato rrethana jashtëzakonisht të vështira, qetësia, disciplina dhe profesionalizmi i tyre dëshmuan forcën e një institucioni i cili edhe përballë humbjes së njërit prej të vetëve, vazhdoi të kryejë misionin dhe të mbrojë Republikën”, u shpreh ministri.
Sveçla foli gjithashtu për pjesëtarët e grupit të armatosur që morën pjesë në sulm, duke njoftuar se disa prej tyre janë vrarë, disa janë arrestuar, ndërsa të tjerë vazhdojnë të jenë në arrati në Serbi. “Atë ditë, tre terroristë u vranë, tre të tjerë janë arrestuar, shumë të tjerë janë në arrati në Serbi.
E ne theksojmë se një nga një, secilin nga ata do ta vendosim para drejtësisë.
Nuk do të kalojë pa u ndëshkuar sulmi ndaj shtetit tonë dhe vrasja e rreshterit e heroit Afrim Bunjaku”, tha Sveçla.
Ministri kritikoi Serbinë për strehimin e personave të përfshirë në sulmin e Banjskës dhe e lidhi këtë me qëndrimin e saj ndaj personave të akuzuar për krime të luftës. “Deri sa ne kujtojmë të rënët e luftës së fundit, atyre të sulmeve të organizuara nga Serbia edhe pas luftës, dhe të zhdukurit me dhunë, ajo glorifikon kriminelët e luftës së kaluar.
Serbia i strehon ata bashkë me kriminelët e luftërave të reja që po donin të nxisin, siç në rastin e Banjskës”, u shpreh ai.
Sipas Sveçlës, sulmi në Banjskë dëshmoi lidhjet që, sipas tij, ekzistojnë mes krimit të organizuar në veri të Kosovës dhe strukturave shtetërore në Serbi. “Sulmi paramilitar në Banjskë tregoi se krimi i organizuar në veri është thellësisht i lidhur me strukturat më të larta shtetërore në Serbi.
E pas dështimit të sulmit, ata po mbrohen nga Presidenti i vendit atje.
Po qëndrojnë atje, sepse nuk kanë më vend e hapësirë operimi në Kosovë”, shtoi ai.
Sveçla përmendi edhe shpalljen e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste nga institucionet e Kosovës, duke thënë se këto struktura nuk operojnë më në territorin e Kosovës. “Pak muaj para sulmit paramilitar në Banjskë, Mbrojtja Civile e Brigada e Veriut u shpallën nga ne organizata terroriste.
S’ka më Mbrojtje Civile në Kosovë e s’ka më Brigadë të Veriut në Kosovë.
Tash gjithandej ka mbrojtje të vërtetë shtetërore, rend, sundim të ligjit e siguri për të gjithë qytetarët”, tha ai.
Ministri i Punëve të Brendshme shprehu mirënjohje për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, institucionet e sigurisë dhe institucionet e tjera që, sipas tij, kontribuuan në përballimin e situatës së krijuar pas sulmit në Banjskë. “Krahas nderimit për rreshterin Afrim Bunjaku, dua të shpreh mirënjohjen time për secilin zyrtar policor, për ata që ishin në Banjskë dhe për ata që në ditët, javët dhe muajt para dhe pas saj punuan në mbrojtjen e Republikës.
Gjithashtu edhe mirënjohje për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Doganat e Kosovës, si dhe për të gjithë zyrtarët e institucioneve të tjera që kontribuan në përballimin e asaj situate, por edhe në arritjen e një prej fitoreve më të mëdha të shtetit tonë”, tha ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





