Të rinjtë dhe të rejat duhet të jenë në qendër të politikave dhe proceseve vendimmarrëse, ka deklaruar kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë aktivitetit “Zëri yt, e ardhmja jonë”, i organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.
Kurti tha se rreth 40 për qind e popullsisë së Kosovës përbëhet nga të rinj, duke theksuar se institucionet kanë ndërmarrë një sërë masash në fushën e arsimit, punësimit, kulturës dhe sportit, me synim krijimin e mundësive më të mira për këtë kategori.
Ai veçoi sistemin dual të arsimit, përmes të cilit synohet lidhja më e drejtpërdrejtë mes arsimit profesional dhe tregut të punës, si dhe bursat dhe format e tjera të mbështetjes financiare për studentët.
Kurti përmendi edhe programin “Superpuna”, përmes të cilit, sipas tij, janë punësuar më shumë se 23 mijë të rinj të moshës 18 deri në 29 vjeç.
Prej tyre, 51 për qind janë vajza dhe 49 për qind djem, ndërsa rreth 10 mijë e 500 biznese kanë përfituar nga ky program.
Sipas Kurtit, potenciali i të rinjve po dëshmohet edhe në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, veçanërisht në eksportin e shërbimeve. “Rininë e shohim edhe si të tashmen, meqenëse është një pjesë e madhe e çmuar e shoqërisë sonë”, tha Kurti.
Ai theksoi se mbështetja për të rinjtë duhet të vazhdojë edhe në kulturë dhe sport, ndërsa u bëri thirrje atyre që të komunikojnë me institucionet dhe të shprehin nevojat e kërkesat e tyre. “Ne nuk i premtojmë rinisë, ne zotohemi dhe realizojmë tash dhe këtu për të”, deklaroi Kurti, duke i uruar të rinjtë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





