Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se kryetarët e komunave të Kosovës do të protestojnë në shtator para Qeverisë së Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj, siç pretendojnë ata, qasjes së Qeverisë ndaj pushtetit lokal.
Rama ka thënë se kryetarët e komunave janë mbledhur për të kundërshtuar ‘shkeljen e vazhdueshme të ligjit dhe qasjen totalitare të qeverisë ‘Kurti’ ndaj pushtetit lokal’, transmeton Zeri.info.
Sipas tij, paralajmërimi gjatë fushatës zgjedhore lokale se komunat që nuk qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrin buxhet, tashmë është duke u materializuar përmes, siç pretendon ai, bllokimit të mjeteve, pengimit të projekteve dhe ndëshkimit financiar. ‘Mbi 344 milionë euro u janë marrë komunave që nga viti 2022 për obligime që nuk i kanë krijuar vetë.
Po bllokohen mjete dhe po pengohen investime që u takojnë qytetarëve’, shkroi Rama.
Ai ka akuzuar Qeverinë se po tenton ta nënshtrojë pushtetin lokal përmes presionit financiar dhe politik. ‘Komunat nuk janë të kryetarëve!
Komunat janë të qytetarëve!’, theksoi Rama.
Sipas tij, bllokimi i mjeteve për një komunë për shkak të përkatësisë politike të pushtetit lokal do të dëmtonte drejtpërdrejt qytetarët. ‘Kjo qasje primitive, përveçse është diskriminuese, është e rrezikshme për demokracinë.
Nuk mundesh me i nda qytetarët në ‘me neve’ dhe ‘me ata’ dhe me vendos me blloku paranë publike sipas hartës elektorale!’, shkroi ai.
Rama ka paralajmëruar se kryetarët e komunave do të jenë bashkë edhe në shtator, kur pritet të protestojnë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


