Kroacia nxit rritjen e numrit të ushtarëve në misionin e NATO-s, KFOR, në Kosovë

Derisa burime diplomatike të huaja flasin jozyrtarisht se disa aleatë evropianë tashmë kanë nisur të komunikojnë se si mund të kontribuojnë në mbushjen e boshllëkut që do të krijohej pas tërheqjes së pjesshme amerikane nga Evropa, ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, në një deklaratë për gazetarët të enjten në Bruksel la të kuptohet se Kroacia po ofron rritjen e numrit të ushtarëve të saj në misionin e NATO-s, KFOR, në Kosovë.

Gjenerali amerikan Alexus G.

Grynkewich, komandanti i NATO-s për Evropën (SACEUR), një javë më parë zbuloi se po planifikohet zvogëlimi i numrit të trupave në KFOR, raporton media kroate “Vecernji List”, transmeton Klankosova.


- Advertisement -

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, të mërkurën sqaroi se numri i ushtarëve në Kosovë, nga rreth 4.700 sa është aktualisht, do të reduktohet në nivelin që ishte para vitit 2023, në rreth 3.000 deri në 3.500 pjesëtarë.

Megjithatë, Kroacia është e gatshme të rrisë numrin e ushtarëve të saj në KFOR.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ua ritheksoi dje homologëve të tij në NATO se prania amerikane në Evropë po zvogëlohet dhe se nga aleatët evropianë pritet “të angazhohen dhe të bëjnë pjesën e tyre”, ndërsa ShBA-ja do t’i “mbajë nën vëzhgim të afërt aleatët dhe do të shohë se kush nuk po e bën këtë, kush thotë ‘jo’, ‘ndoshta’ ose ‘të presim e të shohim’”.

Hegseth theksoi se disa aleatë “do të dështojnë” në këtë test të ri amerikan, ndërsa të tjerë do ta “kalojnë me sukses të shkëlqyer”.

Në fjalimin e tij ai përmendi gjithashtu se disa aleatë evropianë i kthyen shpinën Amerikës gjatë luftës së saj kundër Iranit, ndërsa disa të tjerë “e kuptuan mesazhin dhe u përpoqën; ju vetë e dini kush jeni, dhe ne e vlerësojmë shumë këtë”. “Çfarë kanë thënë amerikanët, ne e mbështesim.

Kroacia po e ndjek këtë dinamikë.

Kritikat që janë bërë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj Kroacisë në asnjë rast”, tha ministri Anushiq pas përfundimit të takimit. “Amerikanët nuk do ta braktisin plotësisht Evropën; një pjesë e forcave do të mbetet.

Por atë pjesë që do të largohet ne duhet ta zëvendësojmë me forcat tona, me pjesëtarët e forcave tona të armatosura.

Varet se ku dhe në cilin mision.

Natyrisht, për ne më i rëndësishmi është KFOR-i, misioni ynë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Evropa është paralajmëruar me kohë dhe do të duhet ta bëjë këtë; të gjithë e kanë kuptuar se kjo duhet bërë.

Amerika po e zhvendos vëmendjen e saj diku tjetër, gjë që është e drejtë legjitime e saj, por jo në mënyrë që të largohet plotësisht dhe të braktisë territorin evropian; prania e saj vetëm po zvogëlohet.

Në çfarë numri dhe në çfarë mase, ende nuk e dimë”, shtoi ministri kroat në një deklaratë për HRT në Bruksel, transmeton Klankosova.tv.

Kroacia aktualisht ka 152 ushtarë në KFOR dhe, sipas vendimit të Parlamentit kroat për vitin 2026, numri i pjesëtarëve kroatë në këtë mision në Kosovë mund të arrijë deri në 200, kështu që rritja është e mundur ligjërisht dhe operacionalisht që këtë vit, nëse merret një vendim i tillë.

Më pas, për vitin 2027 do të përgatitet një vendim i ri i Parlamentit, ndërsa burime jozyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë konfirmojnë se, në këtë kontekst të marrjes së një barre më të madhe nga aleatët evropianë për të kompensuar praninë amerikane, Kroacia është “pa dyshim e përqendruar te KFOR-i”.

Burimi origjinal i informacionit: zeri.info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *