Kriza Politike në Kosovë: Analiza dhe Perspektiva për Dalje nga Bllokada

As zgjedhjet e reja dhe as një vendim tjetër i Gjykatës Kushtetuese nuk do t’i jepnin zgjidhje të qëndrueshme krizës institucionale në Kosovë, nëse partitë nuk tregojnë vullnet për kompromis dhe bashkëjetesë politike, thotë analistja politike, Donika Emini.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Emini thotë se partitë janë barrikaduar në pozicionet e tyre dhe nuk janë afër një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.

Sipas saj, pa ndryshuar raportet mes tyre, çdo rrugëdalje nga bllokada do të ishte vetëm e përkohshme dhe vendi rrezikon të kthehet sërish në të njëjtën pikë.


- Advertisement -

Emini vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje është në pozitën më të favorshme nga vazhdimi i bllokadës, pasi sipas saj, përmes Qeverisë në detyrë, vazhdon ta ushtrojë pushtetin pa mbikëqyrjen e një Kuvendi funksional. ‘Sa më shumë të zgjasë kaosi dhe sa më pak të funksionojë mbikëqyrja institucionale, aq më shumë konsolidohet kontrolli i Vetëvendosjes,” paralajmëron ajo.

Megjithatë, ajo ia atribuon një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë edhe partive që deri më tani kanë qenë në opozitë, të cilat i përshkruan si të dobëta, të përçara dhe pa strategji të përbashkët.

Sipas Eminit, vazhdimi i krizës mund t’iu konvenojë edhe atyre, nëse e shohin atë si instrument për ta sfiduar dhe dobësuar Vetëvendosjen.

Ajo nuk pret as ndonjë ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare, duke theksuar se përgjegjësia për daljen nga kriza u takon para së gjithash partive politike të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Për momentin nuk po shihet ndonjë përpjekje konkrete për marrëveshje politike, ndërsa partitë [PDK, LDK e Aleanca] e kanë refuzuar edhe ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentit për takim. Çfarë tregon kjo për thellësinë e krizës politike?

Donika Emini: Për momentin, ajo që po shohim është se partitë politike janë barrikaduar në pozicionet e tyre dhe nuk po shfaqin ndonjë vullnet serioz për kompromis apo negociata.

Refuzimi i ftesës për takim nga partitë opozitare është një tregues i qartë se kriza është shumë më e thellë sesa një mosmarrëveshje për formimin e Qeverisë.

Në fakt, çështja nuk është vetëm Qeveria, të cilën Vetëvendosje mund ta formojë relativisht lehtë.

Problemi kryesor është zgjedhja e presidentit, dhe pikërisht aty po vazhdojnë të njëjtat divergjenca politike që i kemi parë që nga shkurti i vitit 2025.

Pra, nuk kemi parë ndonjë zbutje të qëndrimeve gjatë ditëve të fundit.

Përkundrazi, kemi një situatë ku kufijtë mes institucioneve dhe roleve politike janë bërë jashtëzakonisht të paqartë.

Personat e njëjë janë njëkohësisht deputetë, ministra, kryeministër, kryetar Kuvendi, president apo ushtrues të funksioneve të tjera institucionale.

Kjo është një situatë e pazakontë dhe, në vend se ta ndihmojë zgjidhjen e krizës, e ka bërë edhe më të ndërlikuar.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *