Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se kërkesa për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë duhet të trajtohet në një afat sa më optimal, duke theksuar se LDK ka traditë të mbajtjes së kuvendeve dhe funksionimit të demokracisë së brendshme.
Zemaj ka thënë se sipas statutit, afati për mbajtjen e Kuvendit është 60 ditë, por sipas tij, duke marrë parasysh mënyrën se si është paraqitur kërkesa, procesi duhet të zhvillohet sa më shpejt. “Kërkesën që kemi bërë e gjykojmë që të jetë në afatin sa më optimal.
Ne kemi traditë të mbajtjes së kuvendeve.
LDK është parti që ka kultivuar demokracinë e brendshme dhe nuk e ka problem mbajtjen e kuvendeve”, ka deklaruar Zemaj në TV Dukagjini.
Ai ka mohuar se ka pasur pengesa gjatë procesit të mbledhjes së nënshkrimeve, duke thënë se çështja kryesore është thirrja e Kuvendit dhe jo numri i nënshkrimeve. “Ka nënshkrime që nuk i kemi dorëzuar, por ka njerëz që kanë nënshkruar edhe pas dorëzimit të nënshkrimeve.
Kjo nuk është temë.
Tema është thirrja e Kuvendit dhe delegatët duhet ta japin fjalën e tyre”, ka thënë ai.
Zemaj ka bërë të ditur se kërkesa për Kuvendin e Jashtëzakonshëm lidhet me ndryshimin e kryetarit të LDK-së. “Kërkesa është për ndryshimin e kryetarit të LDK-së.
Arsyeja janë rezultatet e zgjedhjeve”, ka deklaruar Zemaj.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





