Justina Shiroka-Pula: Rruga nga Akademia në Presidencë

Zgjedhja e akademikes Justina Shiroka-Pula në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës më 7 tetor 2026 ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për profilin e saj akademik, por edhe për marrëveshjen e minutës së fundit mes Vetëvendosjes dhe PDK-së, që i siguroi 81 vota në Kuvend.

Në biografinë e saj familjare spikat lidhja e ngushtë me një nga figurat më të njohura të pushtetit komunist të Kosovës, Kolë Shirokën.

Babai i saj, artisti prizrenas Simon Shiroka (1927–1994), ishte mjeshtër i filigranit që e transformoi zejen tradicionale të argjendarisë në skulpturë dhe art bashkëkohor.


- Advertisement -

Justina është autore e një monografie kushtuar krijimtarisë së të atit, e publikuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës.

Sipas një peme gjenealogjike të publikuar online dhe një shkrimi publicistik të vitit 2010, Simon Shiroka ishte vëlla i Kolë Shirokës, duke e bërë Kolën xhaxha të Presidentes.

Ndërsa Simon Shiroka zgjodhi rrugën e artit dhe të kulturës, Kolë Shiroka u ngjit në majat e pushtetit shtetëror e partiak monist.

Kush ishte Kolë Shiroka?

Kolë Shiroka (1 janar 1922 – 21 maj 1994) ishte një politikan me ndikim për disa dekada në Kosovë dhe në federatën jugosllave.

I lindur në Prizren, ai iu bashkua herët lëvizjes partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ishte bartës i Medaljes Përkujtimore të Partizanëve të vitit 1941.

Gjurma e tij në vendosjen e regjimit të pasluftës shkon deri në vitin 1945.

Sipas publicistit Sheradin Berisha, në një shkrim të vitit 2010, Shiroka ishte delegat i rrethit të Prizrenit në Kuvendin e Prizrenit (8–10 korrik 1945).

Karriera politike e Shirokës kulmoi pas demonstratave të vitit 1981, që tronditën themelet e federatës jugosllave.

Në vitin 1982 ai pasoi Ali Shukriun si Kryetar i Kryesisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, detyrë që e mbajti deri në maj 1983.

Nga maji i vitit 1985 deri në prill 1986, ai drejtoi partinë në krahinë si kryetar i Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, duke qenë njëkohësisht anëtar i Kryesisë së Komitetit Qendror të LKJ-së në Beograd.

Ai vdiq në Beograd më 21 maj 1994, po atë vit kur ndodhi edhe ndarja nga jeta e vëllait të tij, Simonit.

Justina Shiroka-Pula, në anën tjetër, ka ndërtuar një karrierë kryesisht akademike e profesionale, krejt ndryshe nga ajo e xhaxhait të saj.

Ajo lindi në Prishtinë më 1953 dhe u diplomua në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës më 1976.

Pas diplomimit, ajo kreu studimet pasuniversitare në Zagreb dhe doktoroi në ekonomi në Universitetin e Prishtinës.

Për dekada, ajo ka ligjëruar në Fakultetin Ekonomik, ku nisi punën në vitin 1978.

Në dhjetor 2025, ajo u bë gruaja e parë në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), dhe në tetor 2026, Presidente e vendit.

Më herët, ajo kishte shërbyer si Ministre e Energjisë dhe Minierave (2008–2011) dhe si deputete e PDK-së në Kuvendin e Kosovës (2011–2014).

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *