Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kaluan vite duke theksuar ndarjet e forta politike që i ndanin.
LVV-ja, madje, ndërtuan një pjesë të identitetit të saj mbi kritikat ndaj qeverisjeve të PDK-së.
Por, përballë mundësisë për zgjedhje të reja, dy rivalët gjetën një emër të përbashkët: Justina Shiroka Pula, ish-ministre e PDK-së, e propozuar nga LVV-ja për presidente.
Kompromisi u arrit në orët e fundit të afatit për zgjedhjen e kreut të shtetit, duke përfshirë ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, që PDK-ja i kishte propozuar dhe për të cilat LVV-ja kishte shprehur dyshime.
Në fund, Shiroka Pula u zgjodh presidente me 81 vota, ndërsa ndryshimet ligjore u miratuan me 88 vota.
Por, çfarë e bëri një ish-zyrtare të PDK-së të pranueshme për LVV-në?
A ishte ky kompromis një shenjë e afrimit mes dy partive apo thjesht një rezultat i interesave që u përputhën në një moment vendimtar?
Më 6 tetor, jashtë Kuvendit të Kosovës, protestuesit kërkonin ndryshimin e ligjit që rregullon funksionimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Tensionet ishin të larta pas përleshjeve të një nate më parë, kur policia kishte përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa protestuesit kishin hedhur gurë dhe mjete piroteknike.
Brenda Kuvendit, partitë përballeshin me presionin se nëse nuk arrinin ta zgjidhnin presidentin, vendi rrezikonte zgjedhje të reja parlamentare – të katërtat në më pak se dy vjet.
Megjithëse LVV-ja kishte nevojë për votat e PDK-së, ndërsa PDK-ja për mbështetje nga LVV-ja për ndryshimet ligjore, dy partitë vazhdonin përplasjet publike.
Kryeministri Albin Kurti akuzoi PDK-në se nuk pranonte të takohej për të arritur marrëveshje, kurse kryetari Bedri Hamza e paraqiste ndryshe pengesën, duke thënë se kishte pasur mjaftueshëm takime.
Përplasjet nuk i ndalën ofertat.
Brenda pak më shumë se tetë orësh, Kurti doli tri herë para mediave me propozime për marrëveshjen.
Fillimisht propozoi Bekim Sejdiun, pastaj Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin, duke lidhur secilin rast me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen.
Në konferencën e tretë, ai paraqiti Justina Shiroka Pulën si emrin e pranueshëm për presidente. “Edhe pse nuk e kemi pasur mundësinë të bisedojmë me zonjën Shiroka Pula, për Partinë Demokratike të Kosovës është një emër i pranueshëm për presidente”, deklaroi Hamza.
Më vonë, Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore dhe kaloi në zgjedhjen e presidentit.
Shiroka Pula siguroi 81 vota dhe, në minutat e para të 7 tetorit, u betua si presidente e Kosovës. “Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, etnik apo shoqëror.
Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe për përforcimin e institucioneve tona”, tha ajo.
Secila nga partitë e paraqiti marrëveshjen si sukses.
PDK-ja mori mbështetje për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, që ishin ndër kërkesat kryesore të protestuesve, ndërsa LVV-ja siguroi zgjedhjen e presidentes dhe shmangu rrezikun e zgjedhjeve të reja.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, pranon se shmangia e një procesi zgjedhor ishte pjesë e llogaritjeve të tyre politike. “Natyrisht, në këtë situatë kemi vepruar me besimin se akademike Justina Shiroka Pula do ta kryente me përgjegjësi të lartë mandatin e saj si presidente e vendit.
Pra, është një person te i cili kemi besim dhe këtë e dëshmuam edhe me votën tonë”, tha ajo për programin Expose.
Ajo e arsyeton përzgjedhjen e Shiroka Pulës me përgatitjen profesionale dhe integritetin e saj.
Megjithatë, presidentja nuk i shpjegoi publikisht rrethanat e kandidimit të saj, ndërsa PDK-ja ashtu gjithashtu nuk dha një shpjegim të hollësishëm për arsyet e mbështetjes së saj.
Emri i Shiroka Pulës nuk ishte i ri në diskutimet për Presidencën, pasi kishte pasur mbështetje brenda PDK-së për një kandidaturë konsensuale.
Kur u zgjodh presidente, Shiroka Pula kishte më shumë se 12 vjet që ishte larguar nga politika aktive.
Ajo ka drejtuar Ministrinë e Energjisë dhe Minierave, ka qenë deputete e PDK-së dhe më pas iu kthye angazhimit akademik si profesoreshë e ekonomisë.
Sipas analistit politik Arben Qirezi, distanca e saj nga politika aktive është një faktor që ndihmon në kuptimin e pranueshmërisë së kandidaturës.
Ai vlerëson se e kaluara partiake nuk duhet të jetë përcaktuese për emërimin e një personaliteti në një detyrë të rëndësishme publike.
Për Shiroka Pulën, marrëveshja që e solli në Presidencë i përket së kaluarës.
Përgjegjësia e saj tani është të ushtrojë mandatin në mënyrë të pavarur nga partitë që e zgjodhën.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton presidentin si kreun e shtetit dhe përfaqësuesin e unitetit të popullit.
Aftësia e Shiroka Pulës për të qëndruar mbi ndarjet politike do të jetë një test për mandatin e saj.
Shpresojmë se me zgjedhjen e saj, polarizimet aktuale në shoqërinë kosovare do të tejkalohen, nëse zonja Shiroka Pula do ta luajë rolin unifikues që i takon funksionit të presidentit të shtetit.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





