Gjykata Supreme e Kosovës shpall kufizimin kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore si të paligjshëm

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë aktgjykim duke e shpallur si të paligjshëm kufizimin kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore në pensionet kontribut-pagues.

Ky aktgjykim i kësaj gjykatë është marrë, pasi ajo e ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit Sh.S., kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 5 të nenit 5 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2015 (MPMS), i cili rregullon kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontribut-pagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve. “Gjykata vlerëson se dispozita e kontestuar, e cila kërkonte që dëshmitë për kualifikim arsimor të jenë të fituara para datës 01.01.1991, nuk ka bazë ligjore dhe përbën tejkalim të autorizimit të dhënë me ligj.


- Advertisement -

Sipas arsyetimit të aktgjykimit, ligji përkatës për skemat pensionale nuk e lidhin të drejtën në pension me kohën e fitimit të kualifikimit arsimor, por me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi i vendosur është arbitrar, pa ndonjë qëllim të qartë legjitim dhe joproporcional, pasi përjashton një kategori të tërë pensionistësh kontribut-pagues që kanë përmbushur kushtet ligjore, vetëm për shkak të kohës së fitimit të kualifikimit të tyre arsimor. “Një dispozitë e tillë cenon edhe parimin e barazisë para ligjit dhe sigurinë juridike, duke krijuar dallim të pajustifikuar ndërmjet pensionistëve që ndodhen në rrethana të njëjta sa i përket kontributeve dhe stazhit pensional.

Gjykata Supreme vlerëson se dispozita e shfuqizuar është në kundërshtim me Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe cenon parimet themelore të rendit juridik, duke vendosur një kufizim të pabazuar dhe diskriminues për përfituesit e pensionit kontribut-pagues.”, thuhet në njoftim.


- Advertisement -