Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka deklaruar se fuqizimi ekonomik i grave dhe rritja e pjesëmarrjes së tyre në tregun e punës mbeten ndër prioritetet kryesore të institucioneve.
Gjatë konferencës “Gratë në Biznes – She Rises”, Hoti tha se ministria që ai drejton do të vazhdojë të hartojë politika që krijojnë mundësi reale për gratë, përmes avancimit të legjislacionit të punës, masave aktive të punësimit dhe mbështetjes së ndërmarrësisë.
Ai bëri me dije se një nga prioritetet do të jetë platforma e re “SuperPuna për Gratë”, e cila synon të lehtësojë qasjen e grave në mundësi të reja punësimi në të gjithë vendin.
Hoti prezantoi edhe vizionin për reformimin e Ligjit të Punës dhe krijimin e një sistemi më të drejtë për pushimin e lehonisë dhe atë prindëror, në përputhje me standardet evropiane, si dhe punën drejt themelimit të Fondit të Sigurimeve Shoqërore.
Sipas tij, këto reforma synojnë të mbështesin gratë, familjet dhe bizneset, duke larguar pengesat që kufizojnë pjesëmarrjen e plotë të grave në ekonomi. ‘Kosova ka nevojë për potencialin, energjinë dhe lidershipin e grave në çdo sektor.
Vetëm përmes mundësive të barabarta dhe politikave gjithëpërfshirëse mund të ndërtojmë ekonomi më të fortë dhe shoqëri më të drejtë për të gjithë’, ka theksuar Hoti.
Burimi origjinal i informacionit: zeri.info






