Gjatë dëshmisë së tij para një komisioni parlamentar në Kanada, eksperti i njohur për Ballkanin, Dr.
Jasmin Mujanoviç, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë që mosnjohjen e Kosovës ta trajtojnë si prioritet diplomatik dypalësh në raport me shtetet e mbetura të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e saj.
Në fjalën e tij, Mujanoviç deklaroi: “Nuk ekziston asnjë arsye koherente pse vende si Spanja, Sllovakia dhe të tjerat nuk e njohin sovranitetin e Kosovës.
Pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin Kosovën janë Spanja, Sllovakia, Greqia, Qiproja dhe Rumania.
Mujanoviç nënvizoi nevojën për një politikë të koordinuar perëndimore që do të ndihmonte avancimin e stabilitetit rajonal dhe integrimin euroatlantik në Ballkan.
Dëshmia e tij përputhet me thirrjet më të gjera për një angazhim më të thelluar të Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara në rajon.
Kjo seancë dëgjimore që u mbajt me 4 qershor, pasqyron interesimin në rritje në Otava për një politikë më proaktive ndaj Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur vazhdojnë tensionet gjeopolitike që përfshijnë Rusinë, Kinën dhe sfidat e stabilitetit në rajon.
Dr.
Jasmin Mujanoviç, i cili ka doktoruar në Universitetin York në Toronto, është studiues, autor dhe bashkëpunëtor i lartë jorezident në New Lines Institute for Strategy and Policy në Uashington, D.C.
Hulumtimet e tij përqendrohen në demokratizimin e shoqërive post-autoritare dhe post-konfliktuale në Ballkanin Perëndimor.
Ai është autor i dy librave të vlerësuar gjerësisht: “Hunger and Fury: The Crisis of Democracy in the Balkans” (2018) dhe “The Bosniaks: Nationhood After Genocide” (2023).
Burimi origjinal i informacionit: zeri.info






