Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar sërish pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në reagimin e saj, Musliu ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si është trajtuar lufta e Kosovës në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e kontekstit historik dhe të së vërtetës së plotë në vlerësimin e drejtësisë. “A mund të quhet drejtësi një proces që e shkëput luftën nga historia që e solli atë?
Unë besoj se jo.
Drejtësia nuk mund të jetë vetëm një sallë gjyqi.
Nuk mund të jetë vetëm një dosje.
Nuk mund të jetë vetëm një interpretim i fakteve të zgjedhura.
Drejtësia duhet të ketë edhe kujtesë.
Duhet të ketë kontekst.
Duhet të ketë guximin për ta parë të vërtetën të plotë, edhe kur ajo është e pakëndshme”, ka shkruar ajo në Facebook, transmeton Klankosova.tv.
Musliu ka thënë se drejtësia nuk duhet të kufizohet vetëm në një proces gjyqësor, por duhet të përfshijë edhe kujtesën dhe kontekstin historik. “Kosova nuk e nisi luftën për të pushtuar dikë.
Kosova luftoi sepse liria ishte bërë domosdoshmëri njerëzore.
Prandaj, ajo që sot e quaj masakër të drejtësisë ndërkombëtare, nuk është vetëm dënimi i katër njerëzve. Është ndjenja se në një proces të tillë mund të jetë cenuar vetë besimi se drejtësia ndërkombëtare është mbi politikën, mbi interesat dhe mbi versionet e fuqishme të historisë.
Historia nuk mbyllet me një aktgjykim.
Një gjykatë mund të shkruajë një vendim.
Nuk mund ta shkruajë përgjithmonë historinë.
Muret e Hagës mund t’i mbajnë sot katër burra, por nuk mund ta burgosin kujtesën e një populli”.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





