Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori lidhur me gjendjen në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës, e cila prej ditësh është përfshirë nga zjarri.
Bajrami ka bërë të ditur se kallëzimin e ka adresuar te Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke kërkuar hetim për përgjegjësinë e institucioneve dhe zyrtarëve që kanë pasur kompetenca në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e deponisë. “Prej pesë ditësh deponia regjionale është përfshirë nga zjarri, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka thënë se problemi, sipas saj, nuk ka nisur me zjarrin, por është krijuar ndër vite për shkak të mënyrës së menaxhimit të deponisë. ‘Për më shumë se një dekadë, pas përfundimit të menaxhimit dhe mirëmbajtjes së deponisë nga kontigjenti italian i KFOR-it, mbeturinat e pesë komunave nuk janë trajtuar sipas standardeve sanitare të një deponie’, ka deklaruar ajo.
Sipas Bajramit, mbeturinat nuk janë groposur dhe mbuluar me dhe, duke krijuar një grumbull të madh mbetjesh që, siç pretendon ajo, ka ndotur ajrin, tokën dhe ujërat.
Ajo ka kërkuar që Prokuroria të hetojë përgjegjësinë e operatorit aktual të deponisë, Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), si dhe institucioneve të tjera përgjegjëse. ‘Kam kërkuar që Prokuroria të zhvillojë hetime të plota për të sqaruar përgjegjësinë për rrezikimin e shëndetit publik, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, ndotjen dhe dëmtimin e mjedisit’, ka shkruar Bajrami.
Deputetja ka përmendur si institucione që duhet të hetohen edhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe Qeverinë e Kosovës. ‘Asnjë institucion nuk ka të drejtë që me mosveprimet e tij të lejojë që qytetarët t’i ekspozohen për vite me radhë një rreziku të tillë’, ka theksuar ajo.
Bajrami ka kërkuar që Prokuroria ta trajtojë rastin me prioritet dhe ka bërë thirrje për ndërmarrjen e masave konkrete për sanimin e gjendjes dhe mbylljen përfundimtare të deponisë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





