Kryetari i Këshillit Koordinues të Shoqatave të Familjarëve të Personave të Zhdukur në Kosovë, Ahmet Grajqevci, ka akuzuar Serbinë për mungesë vullneti për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, duke thënë se Beogradi vazhdon ta përdorë këtë çështje si instrument politik dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk po ushtron presion të mjaftueshëm për zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur.
Grajqevci tha se procesi i zbardhjes së fatit të personave të zhdukur është neglizhuar jo vetëm nga Serbia, por edhe nga institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare. “Shteti i Kosovës nuk mund ta fusë Serbinë në dialog asnjëherë, sepse ky dialog përveç nga çështja humanitare ka kaluar në një çështje politike.
E, cila kjo është dashur të përdoret si çështje humanitare.
Por, bashkësia ndërkombëtare duhet ta bënte një trysni më të madhe, Bashkimi Evropian, mbi Serbinë, që të vazhdojë ky dialog.
Sepse këta e neglizhojnë për interesat e veta politike këtë dialog”, u shpreh ai.
I pyetur nëse funksionalizimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur mund të sjellë rezultate konkrete, Grajqevci tha se familjarët mbeten skeptikë për shkak të mungesës së gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar. “Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të vendosin kushte konkrete ndaj Serbisë në raport me procesin e dialogut sa i përket çështjes së personave të zhdukur.
Sipas Grajqevcit, pa vullnet politik nga Serbia nuk mund të ketë përparim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. “Gjithsesi, pa një vullnet dhe pa një dashamirësi Serbia kurrë nuk do ta tregojë çështjen e personave të zhdukur, sepse ne e dimë që ata janë në Serbi, dimë edhe vendet ku janë.
Por kur është problemi, delegacioni ynë, qoftë kur bisedon me ta, ata gjithherë e gjejnë një shkas: jo se kemi këtë, jo vonesat teknike, jo vonesat gjyqësore, e kështu neglizhohet dhe shtyhet deri në momentin kur atyre t’u konvenojë për një poen politik të thonë: ‘Ja, ne e bëmë këtë’.
Ajo nuk ka kushte, do të thotë nuk ka kushte zbardhja e fatit të personave të zhdukur, sepse ato krime janë krime me paramendim.
Janë kryer në mënyrë komanduese dhe administrative nga një shtet fqinj i yni, i cili e ka përdorur dhunën barbare mbi popullin shqiptar”, shtoi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





