Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, e ka dënuar ashpër vrasjen tragjike të një gruaje dhe vëllait të saj, e ndodhur dje në Livoç të Ulët në Gjilan, si dhe plagosjen e një anëtari tjetër të familjes.
Due shprehu ngushëllime për familjen dhe të dashurit e viktimave, duke u uruar shërim të shpejtë personit të lënduar. “Kjo humbje tragjike e jetëve nxjerr në pah koston shkatërruese njerëzore të dhunës me bazë gjinore.
Një dhunë e tillë është e papranueshme dhe nuk duhet të tolerohet kurrë apo të trajtohet si çështje private”, tha ai.
Shefi i UNMIK-ut i bëri thirrje institucioneve përkatëse që të vazhdojnë përpjekjet e koordinuara për të parandaluar dhunën me bazë gjinore.
Sipas Prokurorisë, në rastin e djeshëm, vëllai dhe motra humbën jetën, ndërsa dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i viktimës.
Po ashtu, i plagosur ka mbetur edhe djali i xhaxhait të viktimës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





