Debati politik në vend po dominohet nga çështja e zgjedhjes së presidentit, ndërsa po mungon diskutimi për programet qeverisëse dhe reformat, vlerësojnë njohës të çështjeve politike.
Sipas tyre, partitë politike duhet të fokusohen në arritjen e kompromisit për politikat qeverisëse, e jo vetëm në ndarjen e pozitave institucionale.
Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi tha se rezultatet e tri proceseve zgjedhore kanë treguar se qytetarët presin kompromis më të gjerë politik dhe shoqëror, por sipas tij partitë nuk kanë diskutuar për politika konkrete qeverisëse.
Arifi vlerësoi se mungesa e institucioneve të plota dhe legjitime po ndikon edhe në proceset integruese të vendit.
Analistja politike Afërdita Maliqi tha se edhe pas përfundimit të procesit zgjedhor, sfida kryesore mbetet zgjedhja e presidentit.
Ajo vlerësoi se qasja e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kësaj çështjeje mund të mbetet e njëjtë si në legjislaturën e kaluar.
Burimi origjinal i informacionit: zeri.info






