Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj propozimit të kryeministrit Albin Kurti për votimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit.
Gjatë një konference për media, Hamza kritikoi qasjen aktuale, duke theksuar se çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk i takon vetëm PDK-së. “Çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është çështje që i takon vetëm PDK-së, po flasim për historinë, për të tashmen dhe për të ardhmen”, u shpreh Hamza.
Ai nënvizoi se kjo temë po tenton të shndërrohet në pazare politike në momentet e fundit. “Kjo temë po tentohet me u shndërru në pazare të minutave të fundit.
Ju kam thënë dhe po e përsëris. Çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është temë që i takon vetëm PDK-së.
Po flasim për historinë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë”, deklaroi ai.
Hamza theksoi se pjesëtarët e UÇK-së janë të angazhuar në subjekte të ndryshme politike, duke akuzuar për përpjekje për të përdorur këtë çështje për qëllime politike. “UÇK-ja ka pjesëtarë në të gjitha partitë politike dhe qëllimi i kësaj teme është si ta përdorim ligjin për shantazh dhe për të mbërritur qëllimin politik.
Qëllimi politik është që me pasë një president politik dhe me e përmbyllë njëqind për qind kapjen e institucioneve”, tha Hamza.
Ai gjithashtu theksoi se ka marrë pjesë në takime për tejkalimin e situatës, por kritikoi ndryshimet e shpeshta të qëndrimeve politike. “Unë kam qenë në takim, po e shihni se sa shpesh ka ndryshime të qëndrimeve politike”, u shpreh Hamza.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





