Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se vendi mund të humbasë fonde të rëndësishme nga Plani i Rritjes nëse shkohet sërish në zgjedhje.
Në një postim në Facebook, Zulfaj ka theksuar se 131.4 milionë euro, që përfaqësojnë 22 hapa të këtij plani, kanë afatin përfundimtar deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Ai shpjegoi se, nëse Kuvendi nuk funksionon si duhet dhe nuk ka një Qeveri me kapacitet të plotë, Kosova rrezikon të humbë afër 90 milionë euro. “Prandaj, nëse Kuvendi nuk e zgjedh Presidentin sot, vihet në rrezik zbatimi i një pjese të madhe të reformave të Planit të Rritjes,” ka shkruar Zulfaj.
Përveç kësaj, ai ka përmendur projektligjet që mbetën të bllokuara në qershor për shkak të situatës në Kuvend dhe për të cilat Kosova mund të humbasë mbi 40 milionë euro.
Zulfaj theksoi se këto projektligje janë miratuar sërish në Qeveri dhe i janë dërguar Kuvendit, ndërsa të hënën kanë kaluar në lexim të parë. “Nëse Presidenti nuk zgjedhet sot, edhe këto projektligje nuk shkojnë në lexim të dytë dhe duhet të procedohen nga fillimi, në Qeveri dhe në Kuvend,” ka deklaruar ai.
Në mesin e këtyre projektligjeve, Zulfaj përmendi edhe ligjin që do t’i mundësonte Kosovës të bëhej pjesë e SEPA-s, duke theksuar se çdo vit, jashtë kësaj skeme, qytetarët dhe bizneset kosovare i kushton rreth 55 milionë euro.
Në fund, Zulfaj kritikoi opozitën, duke e akuzuar për bllokimin institucional: “Bllokada është zgjedhje.
Opozita ka zgjedhur të bllokojë, dhe koston po ua faturon qytetarëve,” përfundoi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





