Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Hashim Thaçi, gjatë së cilës kanë diskutuar për Kosovën, familjet, miqtë dhe qytetarët që, sipas tij, vazhdojnë të besojnë në rikthimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Në një komunikatë për media nga PDK, thuhet se Hamza tha se gjatë bisedës është folur edhe për procesin gjyqësor në Hagë dhe pritjen për përfundimin e tij, duke vlerësuar se shtyrjet e vazhdueshme të shpalljes së aktgjykimit e kanë zgjatur edhe më shumë pritjen. “Drejtësia mund të vonohet, por nuk duhet të tjetërsohet”, ka deklaruar Hamza, duke shprehur bindjen se më 16 shtator “drejtësia do të vihet në vend” dhe se Thaçi, së bashku me bashkëluftëtarët e tij, do të kthehen të lirë në Kosovë.
Ai bëri të ditur se gjatë bisedës i ka përcjellë Thaçit përshëndetjet, mbështetjen dhe pritjet e qytetarëve të Kosovës, ndërsa shtoi se edhe ish-presidenti ka kërkuar që përshëndetjet e tij t’u përcillen të gjithë qytetarëve. “Me qetësinë dhe besimin që e karakterizon, bisedën e përfunduam me shpresën se shumë shpejt do të shihemi në Kosovë”, ka shkruar Hamza.
Në fund të reagimit, kreu i PDK-së ka përsëritur mesazhin: “Dielli do të lindë përsëri!
Për çlirimtarët, për historinë tonë të lavdishme dhe për Kosovën!”.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




