Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e konsideruar këtë veprim si në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Në një deklaratë të lëshuar lidhur me këto ndryshime, BE-ja i bën thirrje Kosovës që të respektojë angazhimet e saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe për t’u siguruar llogaridhënie dhe drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Sipas BE-së, është e domosdoshme të garantohen mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve.
Ky reagim erdhi një ditë pas shqetësimit të thellë që shprehu BE-ja për votimin në Kuvend.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Christian Wigand, sqaroi se nuk kanë reaguar as kur u paralajmërua se ligji mund të ndryshohej, as pas leximit të parë.
Ai tha: “Ju e dini se ne, si çështje parimi, komentojmë vetëm vendimet përfundimtare dhe ligjet që miratohen përfundimisht, jo projektet apo tekstet që janë të njohura ose që janë në leximin e parë apo të dytë.
Prandaj, sigurisht, ne reaguam pasi pati një vendim përfundimtar nga Kosova.” BE-ja thekson se ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion të pavarur gjyqësor dhe insistojnë se mandati i tyre aktual dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht. “Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi, duke u bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale,” theksojnë nga Brukseli.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





