EULEX-i Rikonfirmon Përkushtimin për Sigurinë dhe të Drejtat e Njeriut në Kosovë

Shefi i ri i EULEX-it, Antero Lopes, ka zhvilluar sot një takim me krerët e Listës Serbe, ku shprehu përkushtimin e misionit për sigurinë dhe të drejtat e njeriut për të gjitha komunitetet në Kosovë. “Sot zhvillova një takim njohës me kryetarin e “Srpska Lista”-s, Zlatan Elek, dhe ekipin e tij, me të cilët diskutova çështje që lidhen me sundimin e ligjit.

Në takim, rikonfirmova përkushtimin e vazhdueshëm të Misionit për të mbështetur sigurinë dhe të drejtat e njeriut për të gjitha komunitetet në Kosovë,” ka thënë Lopes.

Nga ana tjetër, krerët e Listës Serbe kanë shprehur shqetësime ndaj Lopes për “shtypjen e serbëve”. “Përfaqësuesit e Listës Serbe theksuan veçanërisht dhunën e vazhdueshme institucionale ndaj popullit serb, si dhe presionet dhe veprimet e kundërligjshme ndaj përfaqësuesve serbë dhe organeve komunale, duke theksuar se kjo cenon më tej sigurinë juridike, funksionimin e vetëqeverisjeve lokale dhe besimin e qytetarëve në institucione.


- Advertisement -

Gjatë takimit u theksua se shkelja e të drejtave të serbëve, mosrespektimi i ligjit dhe keqpërdorimi i mekanizmave institucionalë janë bërë dukuri e rregullt, ndërsa mungesa e një reagimi adekuat nga institucionet përgjegjëse inkurajon më tej një sjellje të tillë dhe thellon ndjenjën e pasigurisë te populli ynë,” thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -