Sean “Diddy” Combs do të qëndrojë më gjatë në burg, pasi data e tij e lirimit është shtyrë me rreth gjashtë javë.
Sipas të dhënave të Byrosë Federale të Burgjeve, 56-vjeçari tani pritet të lirohet nga FCI Fort Dix në New Jersey më 2 mars 2028, ndërsa më parë ishte parashikuar që të dilte më 21 janar 2028.
Autoritetet nuk kanë ofruar një arsye të qartë për këtë ndryshim.
Shtyrja vjen pas raportimeve se Diddy ishte dërguar sërish në izolim, për shkak të pretendimeve për trajtim të veçantë në burg.
Sipas burimeve, ai dyshohej se kishte marrë ndihmë nga të burgosur të tjerë, duke përfshirë shërbime si gatimi, pastrimi i qelisë dhe aktivitete të tjera.
Burime të cituara nga TMZ kanë theksuar se transferimi në izolim ishte pjesë e procedurës standarde derisa autoritetet kryenin një hetim.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse hetimi vazhdon dhe nëse qëndrimi i tij në izolim lidhet ende me të njëjtën çështje.
Byroja Federale e Burgjeve ka deklaruar se, për arsye privatësie dhe sigurie, nuk komenton mbi kushtet e ndalimit apo arsyet e ndryshimit të datave të lirimit.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





