Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, njoftoi se deri në fillim të javës së ardhshme do të fillojë puna e Grupit punues për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, në shkallën e dytë të apelit në Hagë.
Ajo theksoi se Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka emëruar deputetin që do të jetë pjesë e këtij grupi, por garantoi se do të jetë dikush me përvojë. “Konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që Qeveria e ka marrë vendimin për themelimin e Grupit punues.
Natyrisht, deputeti i deleguar nga ne do të jetë në nivel të detyrës, por nuk e kemi vendosur ende emrin.
Besoj që më së largu në fillim të javës së ardhshme do të kryhet procesi i emrave”, tha ajo.
Nagavci theksoi rëndësinë që ky grup do të udhëhiqet nga kryediplomati Glauk Konjufca dhe shprehu besimin se anëtarët do të punojnë me harmoni të plotë. “Pastaj është shumë e rëndësishme që do të jetë një grup shumëdimensional dhe nuk kam asnjë dyshim që do të ketë një pajtueshmëri të plotë të anëtarëve të Grupit punues”, deklaroi ajo.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





