Amsterdami është bërë kryeqyteti i parë në botë që ndalon reklamat publike për mishin dhe produktet e karburanteve fosile.
Që nga 1 maji, reklamat për hamburgerë, vetura me benzinë dhe linja ajrore janë hequr nga billboard-et, stacionet e tramvajit dhe metrotë.
Në një nga ndalesat më të frekuentuara të tramvajit në qytet, pranë një rrethrrotullimi të gjelbëruar me daffodilë të verdhë dhe tulipanë portokalli, peizazhi i reklamave ka ndryshuar dukshëm.
Tani aty promovohen Rijksmuseum, muzeu kombëtar i Holandës, dhe një koncert pianoje.
Deri javën e kaluar, në të njëjtat hapësira reklamoheshin nuggets pule, SUV dhe pushime me kosto të ulët.
Politikanët e qytetit thonë se kjo lëvizje synon të harmonizojë hapësirat publike të Amsterdamit me objektivat mjedisore të qeverisjes lokale.
Këto synime parashohin që kryeqyteti holandez të bëhet neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050, si dhe që banorët të përgjysmojnë konsumin e mishit gjatë kësaj periudhe. ‘Kriza klimatike është shumë urgjente,’ tha Anneke Veenhoff nga Partia GreenLeft. ‘Nëse dëshironi të jeni lider në politikat klimatike dhe në të njëjtën kohë jepni me qira hapësirat publike për reklama që promovojnë të kundërtën, atëherë çfarë po bëni?
Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë pse komuna duhet të fitojë para duke dhënë me qira hapësirat tona publike për diçka që ne po përpiqemi ta luftojmë me politika,’ shtoi ajo.
