Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar të shtunën vendin e gërmimeve në Zubin Potok, ku dyshohet se gjenden mbetje mortore të 23 intelektualëve të Mitrovicës të zhdukur gjatë luftës.
Kurti tha se zhvillimet në këtë lokacion dëshmojnë përpjekjet për fshehjen e krimeve të luftës, teksa bëri të ditur se gjatë kohës sa ndodheshin në terren janë zbuluar edhe mbetje të tjera mortore.
Ai tha se rezultatet përfundimtare do të varen nga analizat e ADN-së, por se dyshimet janë se bëhet fjalë për grupin e 23 intelektualëve shqiptarë të rrëmbyer dhe ekzekutuar në prill të vitit 1999.
Kurti paralajmëroi se gërmimet do të vazhdojnë për javë apo edhe muaj, pasi mbetjet mortore janë gjetur të shpërndara.
Në fund, ai falënderoi institucionet dhe ekipet e përfshira në procesin e gërmimeve.
Duke iu përgjigjur gazetarëve për retorikën e zyrtarëve serbë ndaj Kosovës, Kurti tha se ajo synon të mbulojë krimet e kryera gjatë luftës.
I pyetur për mbështetjen ndërkombëtare për procesin e gërmimeve, ai tha se pret angazhim më të madh.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





