Albin Kurti shpreh ngushëllimet për vdekjen e akademikut Emin Riza: Personalitet i shquar në studimin e arkitekturës tradicionale

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e akademikut Emin Riza, duke e cilësuar atë si një nga personalitetet më të shquara në studimin e arkitekturës tradicionale dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në një reagim publik, Kurti tha se e mori me pikëllim lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit Emin Riza, i cili lindi në Korçë më 1937 dhe ishte djali i albanologut të njohur Selman Riza.

Sipas Kurtit, Emin Riza ia kushtoi tërë jetën hulumtimit, dokumentimit, restaurimit dhe mbrojtjes së monumenteve të kulturës në Shqipëri dhe në trevat shqiptare, duke zhvilluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në Institutin e Monumenteve.


- Advertisement -

Ai vlerësoi kontributin shkencor të akademikut, duke theksuar se ishte autor i 18 monografive dhe mbi 100 artikujve shkencorë, të cilët përbëjnë një bazë të rëndësishme për studiuesit e trashëgimisë kulturore.

Kurti kujtoi gjithashtu se Riza ishte ndër kontribuuesit kryesorë në hartimin e legjislacionit për trashëgiminë kulturore në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe në përgatitjen e dosjeve për përfshirjen e qyteteve të Gjirokastrës dhe Beratit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. “Për shumë breza studentësh, studiuesish dhe profesionistësh, Emin Riza ishte profesor dhe mentor, udhërrëfyes dhe burim i pashtershëm i dijes, integritetit profesional dhe përkushtimit ndaj trashëgimisë kulturore”, u shpreh Kurti.

Në fund, kryeministri në detyrë u shprehu ngushëllime familjes Riza, kolegëve, miqve dhe të afërmve të akademikut.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *