Pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se është i gatshëm për bashkëpunim me partitë e tjera sidomos për zgjedhjen e presidentit, njohësit e rrethanave politike në vend ndajnë mendime të ndryshme.
Derisa disa e shohin këtë si një hap të domosdoshëm pas mesazhit të qartë që votuesit dhanë përmes mospjesëmarrjes në zgjedhje, të tjerët mbeten skeptikë dhe paralajmërojnë rrezikun e një bllokade të re politike që mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje.
Deklarimi i kryeministrit në detyrë se është i gatshëm për bashkëpunim me opozitën për krijim të institucioneve, po shihet si e vetmja rrugë për të shmangur një krizë të re institucionale.
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, tha për Radio Kosovën se e konsideron këtë deklaratë si një shenjë të mirë dhe pa alternativë.
Sipas tij, dalja jashtëzakonisht e ulët e qytetarëve në zgjedhje, më e ulëta që nga viti 2000, ishte një leksion dhe një mesazh i qartë i indinjatës së votuesve ndaj sjelljeve të klasës politike. “Menjëherë pas konstituimit të Kuvendit kemi vetëm 60 ditë kohë; për të mos shkuar në zgjedhje tjera duhet një marrëveshje ose bashkëqeverisëse ose ndonjë kandidat konsensual që ta kemi presidentin e zgjedhur, e pastaj të shkohet në zgjedhjen e qeverisë”, tha Baraliu.
Nga një këndvështrim tjetër, profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, sugjeron se bashkëpunimi nuk duhet të kufizohet vetëm te çështja e presidentit.
Ai vlerëson se vendi ka nevojë për një diskutim më të gjerë e përmbajtësor mbi politikat 4-vjeçare qeverisëse, në mënyrë që të ndërtohet një narracion më premtues dhe të shmangen skenarët e zgjedhjeve të parakohshme. “Mendoj që vetëm për presidentin nuk do të kemi sukses, po vërehet që po ka një parapërgatitje që eventualisht, nëse dështon diçka gjatë rrugës, të kemi prapë zgjedhje këtë vit.
Mënyra se si po ndërtohet dialogu dhe narracioni publik nuk është premtuese”, tha ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri.info






