Myrto Uzuni ka shprehur lumturi pas fitores së Shqipërisë me rezultat 0-2 në udhëtim ndaj Bjellorusisë, duke e përshkruar këtë përballje si një finale për kuqezinjtë.
Sulmuesi nga Berati, në prononcimin e tij pas ndeshjes për ‘Supersport’, vlerësoi paraqitjen e skuadrës, duke theksuar se të gjithë futbollistët dhanë maksimumin për të siguruar tri pikët. “Kemi bërë një ndeshje shumë të madhe sot, ka qenë një finale për ne.
E dimë kualitetin tonë, erdhëm për të fituar dhe çunat kanë bërë një ndeshje të madhe.” Ai gjithashtu e theksoi rëndësinë e tifozëve, të cilët i konsideroi si forcën më të madhe të Kombëtares së Shqipërisë, duke nënvizuar se dy fitoret e fundit ishin plotësisht të merituara. “Tifozët kanë qenë forca jonë më e madhe.
Të dy fitoret kanë qenë më se të merituara.
Gjithmonë i marrim ndeshjet një nga një.
Krijojmë më shumë raste tani përpara dhe të gjithë lojtarët japin maksimumin,” përfundoi ai.




