Peja vazhdon të kalojë një periudhë të vështirë në Superligën e Kosovës në basketboll, duke pësuar humbjen e saj të shtatë radhazi.
Skuadra pejane, pavarësisht ndryshimeve të bëra në përbërje, nuk arriti të përfundojë serinë negative, duke u mposhtur të dielën mbrëma nga Trepça me një rezultat të ngushtë 85:83, në derbin e xhiros së nëntë të zhvilluar në palestrën “Karagaçi”.
Ndeshja nisi më mirë për vendasit, të cilët fituan çerekun e parë 23:22 dhe shkuan në pushim me një epërsi prej dy pikësh, 47:45.
Megjithatë, kampionia në fuqi reagoi fuqishëm në çerekun e tretë, të cilin e fitoi me rezultat 27:12, duke krijuar një epërsi prej 13 pikësh (72:59) para dhjetë minutave të fundit.
Trepça dukej se kishte siguruar fitoren kur, 3:38 minuta para fundit, ishte në epërsi 80:68.
Por Peja nuk u dorëzua dhe nisi një rikthim të fuqishëm, duke u afruar fillimisht në 80:76, me 1:49 minuta të mbetura.
Vendasit arritën ta ngushtonin diferencën deri në vetëm dy pikë, por mitrovicasit arritën ta menaxhonin epërsinë dhe të largoheshin nga Peja me fitoren e radhës.
Më efikasi te Trepça ishte Shawn Jones me 13 pikë e 11 kërcime, ndërsa Dardan Kapiti kontribuoi me 16 pikë e katër kërcime.
Po ashtu, nga 13 pikë realizuan edhe Ja’Cori Payne dhe Drew Thelwell.
Te Peja shkëlqeu Dominic Artis me 26 pikë, tetë kërcime dhe gjashtë asistime, ndërsa Gray Ricks shtoi 16 pikë.
Xavier Johnson gjithashtu kontribuoi me një dyshifror të dyfishtë, duke realizuar 12 pikë e dhjetë kërcime.
Në këtë takim, Dardan Berisha nuk ishte i pranishëm, ndonëse Peja e riktheu atë në skuadër gjatë javës.
Me këtë fitore, Trepça vazhdon serinë pozitive prej gjashtë triumfesh radhazi në Superligë dhe kryeson tabelën me 16 pikë, ndërsa Peja mbetet në pjesën e poshtme të renditjes me vetëm 11 pikë.




