Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Anton Quni, ka dhënë një përgjigje ndaj kritikave që i janë adresuar për shërbimin ushtarak të djalit të tij në Kroaci, duke i cilësuar këto akuzat si të pabaza dhe manipulative.
Në foltoren e Kuvendit, ai theksoi se djali i tij, Dritoni, nuk është dërguar në ushtrinë kroate përmes ndikimit politik apo ndonjë privilegji.
Quni sqaroi se Dritoni ka lindur, është shkolluar dhe jeton në Kosovë, por gjithashtu ka edhe shtetësinë kroate, që e obligon ligjërisht për t’u nënshtruar shërbimit ushtarak në Kroaci. “Ai nuk është dërguar me asnjë ndikim politik, privilegj apo proteksion.
Si çdo shtetas tjetër i Kroacisë, ai i nënshtrohet bazës ligjore për shërbimin obligativ ushtarak”, deklaroi Quni.
Ai hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se shërbimi ushtarak i djalit të tij është financuar nga taksapaguesit e Kosovës. “Asnjë cent i taksapaguesve të Kosovës nuk është shpenzuar për këtë çështje.
Të gjitha shpenzimet dhe detyrimet mbulohen nga shteti kroat, sipas ligjeve të tyre”, tha ai.
Deputeti gjithashtu reagoi ndaj kritikave që Dritoni nuk iu bashkua Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar se FSK-ja është një ushtri profesionale dhe nuk funksionon mbi parimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. “FSK-ja nuk funksionon mbi parimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por është ushtri profesionale që rekrutohet përmes konkursit publik”, u shpreh ai.
Në përfundim, Quni tha se nëse lind nevoja, djali i tij është më se i gatshëm për të shërbyer në ushtrinë e Kosovës, kurdo që të jetë e nevojshme.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




