temp image 967 temp image 967

Deputeti Ermal Sadiku komenton ndërprerjen e seancës së Kuvendit të Kosovës

- Advertisement -

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka folur për ndërprerjen e seancës së Kuvendit të Kosovës, e cila ishte e planifikuar për sot në orën 14:00, por u shty për nesër në orën 11:00.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vendosi ta ndërpresë seancën për shkak të vonesave të deputetëve për të hyrë në sallë.

Sadiku e mbështeti vendimin e kryetares, duke theksuar se deputetët duhet të tregojnë më shumë seriozitet dhe përgjegjësi në punën e tyre. “Kryetarja ndërpreu seancën me plot të drejtë, unë pajtohem, sepse deputetët nuk po vijnë në sallë ose po vonohemi”, deklaroi Sadiku.

Ai gjithashtu kritikoi mospërputhjen mes deklarimeve të bëra një ditë më parë ndaj deputetëve të opozitës, sidomos atyre të LDK-së, dhe situatën e krijuar sot në Kuvend. “Është interesant se kjo ndodhi një ditë pasi që ne u sulmuam, sidomos deputetët e opozitës, e sidomos LDK-së, me fotografi dhe me fjalë prej Dejonës, e prej zotëri Manxhuka për mungesë, ndërsa vetëm 24 orë më vonë u tregua serioziteti i deputetëve të tyre, gjithë deputetëve të Kuvendit, edhe u dasht me u ndërpre për shkak të joseriozitetit”, u shpreh ai.

Deputeti Sadiku u pajtua që duhet ndërmarrë masa për këtë çështje dhe kërkoi që deputetët ta lexojnë dhe ta zbatojnë më me kujdes Rregulloren e Kuvendit. “Pajtohemi që duhet me marrë masa lidhur me këtë çështje, me pas, po Rregullorja, me u lexu pak më mirë prej gjithëve edhe me qenë pak më serioz në punë”, theksoi Sadiku.

Ai e cilësoi si jo të mirë faktin që deputetët e opozitës, sipas tij, u kritikuan për mungesë vetëm një ditë para se të ndodhte një situatë e ngjashme në Kuvend. “Por është jo e mirë që po sulmohemi 24 orë më herët, edhe mbas 24 orë po del komplet e kundërta”, potencoi Sadiku.

Seanca e Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë nesër në orën 11:00.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -