Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari, ka shprehur bindjen se djali i tij është vrarë në qendrën e paraburgimit në Prizren dhe se nuk ka bërë vetëvrasje.
Në përkujtimin e 10-vjetorit të vdekjes së Astritit, Avni Dehari ka theksuar një seri rrethanash dhe kundërthëniesh që, sipas tij, mbështesin këtë besim të familjes. “Jemi të bindur se Astriti është vrarë në qendrën e paraburgimit në Prizren për shumë arsye.
Në radhë të parë, çdo gjë ka qenë e inskenuar.
Për këtë ka shumë fakte e dëshmi,” ka thënë ai.
Dehari ka përmendur edhe rastin e sulmit në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se personat e akuzuar në atë rast janë shpallur të pafajshëm pas disa seancash gjyqësore.
Ai gjithashtu ka vënë në dukje se deklaratat e zyrtarëve pas vdekjes së Astrit Deharit kanë qenë kontradiktore, përfshirë ato të zyrtarëve të qendrës së paraburgimit, drejtorit të Policisë Rajonale dhe ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha. “Vetëm sulmi në Kuvendin e Kosovës, 6 veta që janë arrestuar dhe jo tre që janë dërguar në paraburgim, kanë dalë pas shumë seancash gjyqësore të pafajshëm.
Të gjitha ato akuza për akt terrorist kanë ra poshtë nga gjyqtarët tanë.
Kjo flet shumë.
Pastaj, pas vrasjes, deklaratat e zyrtarëve, qoftë të burgut, qoftë të drejtorit të Policisë rajonale, qoftë deklaratat e Syl Hoxhës, janë shumë kontradiktore.
Në fillim kanë bërë përpjekje të thonë se Astriti ka bërë vetëvrasje me përdorim të shumë barnave, por analizat kanë vërtetuar se ai nuk ka përdorur barna, drogë apo helme që mund ta vrisnin,” ka deklaruar Dehari.
Ai ka folur gjithashtu për raportet e obduksionit, duke theksuar se në këtë proces kanë marrë pjesë ekspertë ligjorë të shtetit të Kosovës dhe përfaqësues të familjes, përfshirë avokatin Tomë Gashi.
Dehari ka sqaruar se për shkak të manipulimeve dhe kundërthënieve në hetimin e rastit, familja është detyruar të kërkojë ndihmë nga ndërkombëtarët, duke u përcaktuar për Institutin e Lozanës në Zvicër, të cilin e konsiderojnë të specializuar për raste të tilla. “Obduksioni që i është bërë ka përfshirë ekspertë ligjorë të shtetit të Kosovës dhe anëtarë të familjes, përfshirë avokatin Tomë Gashi.
Edhe raporti i ekspertëve të shtetit dhe privatë ka kundërshtime të mëdha; raporti i parë përpiqet të nxjerrë një version të vetëvrasjes, ndërsa raporti i dytë nuk pajtohet me këtë konstatim.
Pas atij raporti, për shkak të manipulimeve dhe kundërthënieve të shumta, ne, edhe pse nuk kemi pasur mundësi që drejtësinë ta vërtetojmë jashtë Kosovës, jemi detyruar të kërkojmë ndihmë nga ndërkombëtarët.
Dhe jemi përcaktuar për institutin e Lozanës në Zvicër, për të cilin kemi marrë informacione se është një institut shumë i përgatitur për këto raste,” ka thënë ai.
Në fund, babai i Astrit Deharit ka theksuar se, sipas familjes, të gjitha këto rrethana flasin për vrasje dhe nuk janë prova për vetëvrasje. “Këto të gjitha që i thashë, tash nuk i kujtoj edhe të tjerat.
Po të gjitha këto flasin për vrasje e jo për vetëvrasje,” ka përfunduar Avni Dehari.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




