temp image 147 temp image 147

Rasti i 13-vjeçarit nga Deçani: U largua nga shtëpia dhe u gjet pas katër ditësh

- Advertisement -

Një 13-vjeçar nga Deçani, i strehuar në një familje në Ferizaj, u largua nga shtëpia më 1 nëntor dhe u gjet katër ditë më vonë, pas mobilizimit të qytetarëve.

Pas intervistimit, ai u vendos përkohësisht në një strehimore të sigurt.

Qendra për Punë Sociale në Ferizaj dhe Deçan kanë dhënë detaje për këtë rast, ndërsa familja strehuese kishte raportuar se i mituri shprehej i mërzitur në shtëpi.

Tashmë, institucionet konfirmojnë se ai është i sigurt në vendin e ri ku është strehuar.

Më 1 nëntor, 13-vjeçari u largua nga familja që e strehonte në Ferizaj, pa njoftuar se nuk do të kthehej më.

I mituri nga Deçani, I.Q., ishte vendosur në një familje strehuese për shkak të mungesës së përkujdesjes familjare, nga Qendra për Punë Sociale në Ferizaj.

Gjatë katër ditëve, institucionet e përfshira u përpoqën ta gjenin atë.

Vetëm më 4 nëntor, kur mundësitë e tjera ishin shteruar, kërkuan ndihmën e qytetarëve.

Në orët e para të mëngjesit të 5 nëntorit, ai u lokalizua nga disa qytetarë, të cilët e dorëzuan në stacionin policor në Ferizaj.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate, njoftoi se pas intervistimit nga hetuesit dhe përfaqësuesit e QPS-së, i mituri u dërgua në një strehimore të sigurt, përkohësisht, derisa institucionet përgjegjëse të gjejnë një zgjidhje tjetër.

Por, çfarë e shtyu 13-vjeçarin të largohej nga familja që kujdesej për të?

Drejtoresha e QPS-së në Ferizaj, Adelina Rexhepi-Braha, tha: “Në bazë të pikëpamjeve të fëmijëve tjerë që janë aty nuk është vërejt asnjë problem, ka shprehur dëshirë edhe tek vëllezërit e tij që a ikim se largohemi prej shpisë.

Nuk është deklaruar as në organet e rendit po as te QPS në Deçan që ai fëmijë ka qenë i trysnum me bë një veprim të tillë.” Përgjegjësia në këtë rast nuk i takon vetëm QPS-së në Ferizaj, por edhe asaj në Deçan prej nga vjen 13-vjeçari.

Drejtori i QPS-së në Deçan, Ali Tahirsylaj, tha se familja strehuese kishte raportuar se i mituri kishte shprehur se është i mërzitur në shtëpi. “Na kemi kontaktu me familjen strehuese, na kanë thënë që ka qenë i mërzitur.

Na kanë thënë 2-3 ditë përpara që jam tu mërzit, po s’kemi vërejtje deri në momentin diçka strehuese.

Mirëqenia e fëmijës, për ato jemi siguru prej politikave se e ka shëndetin e plotë,” tha Tahirsylaj.

Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi-Braha, shpjegoi se sipas ligjit, përgjegjësia për fëmijët në këtë situatë i takon familjes që ka vendosur t’i marrë ata në strehim. “QPS e Ferizajt ka disa familje strehuese, dhe në baza ligjore i vlerëson dhe rivlerëson çdo vit.

Këto familje nuk strehojnë vetëm fëmijë të Ferizajt, por edhe nga vende të tjera.

Ajo familje strehuese ka një menaxher të lëndës, i cili kujdeset në vazhdimësi për ta dhe u ofron këshillat e nevojshme.

Megjithatë, mbikëqyrja e fëmijëve është përgjegjësi e familjes strehuese,” tha Rexhepi-Braha.

Qendra për Punë Sociale në Deçan, gjatë kësaj të enjte, u takua me familjen strehuese si dhe me të miturin, duke konstatuar se tashmë ai është i sigurt në vendin e ri ku është strehuar.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -