Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pranuar se lufta me Iranin ishte një nga faktorët që ndikuan në humbjen e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, duke e cilësuar si “kryesisht të vërtetë” deklaratën e zëvendëspresidentit JD Vance për këtë çështje.
Trump tha se konflikti ndikoi në rritjen e çmimeve të benzinës në periudhën afatshkurtër, gjë që, sipas tij, mund të ketë ndikuar në rezultatin zgjedhor.
Megjithatë, ai këmbënguli se vendimi për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit ishte i domosdoshëm dhe se do ta merrte të njëjtin vendim edhe një herë. “Nëse do të më duhej ta bëja përsëri, do ta bëja, sepse në planin afatgjatë kjo është e vetmja zgjidhje.
Nuk mund ta lejojmë Iranin të ketë armë bërthamore”, deklaroi Trump para gazetarëve.
Ai shtoi se lufta me Iranin “ia ka vlejtur”, duke theksuar se nuk kishte alternativë tjetër për të parandaluar që Teherani të pajisej me armë bërthamore.
Ndërkohë, i pyetur për marrjen e kontrollit të të dyja dhomave të Kongresit amerikan nga demokratët, Trump u shpreh se pret të bashkëpunojë me ta, përveç nëse, siç tha ai, synojnë të pengojnë punën e administratës.
Presidenti amerikan rikujtoi gjithashtu se ka të drejtën e vetos për të kundërshtuar vendimet që nuk i mbështet.




