Hungaria ka bërë publike emrat dhe të dhënat personale të rreth 60 mijë individëve që kanë bashkëpunuar me policinë sekrete gjatë regjimit komunist, në një iniciativë që ka për qëllim të zbardhë një nga kapitujt më delikatë të historisë së vendit.
Dokumentet janë bërë të disponueshme përmes një platforme online, duke përfshirë emrat e vërtetë të informatorëve, pseudonimet e tyre sekrete, datëlindjet, adresat dhe të dhëna të tjera personale.
Dosjet gjithashtu përmbajnë informacione rreth motiveve që i shtynë këta individë të bashkëpunonin me autoritetet komuniste, duke përfshirë rastet kur ata ishin detyruar përmes kërcënimeve ose shantazheve.
Kryeministri hungarez, Peter Magyar, deklaroi se publikimi i këtyre dokumenteve do t’i ndihmojë qytetarët të përballen me të kaluarën dhe traumat e shkaktuara nga regjimi komunist. “Shumë familje tani do të përballen me informacione të vështira, shpesh të lidhura me një anëtar të ndjerë të familjes. Është e pamundur të përballesh me traumën pa biseduar dhe pa bërë pyetje”, u shpreh Magyar.
Data e publikimit, 4 nëntori, është zgjedhur me qëllim simbolik, pasi në këtë ditë të vitit 1956, tanket sovjetike hynë në Budapest dhe qytete të tjera të Hungarisë për të shtypur revolucionin kundër regjimit komunist.
Sipas vlerësimeve historike, shërbimet sekrete hungareze kishin angazhuar nga 150 mijë deri në 160 mijë informatorë gjatë periudhës nga dhjetori i vitit 1944 deri në shkurt të vitit 1990.
Një pjesë e tyre kishin bashkëpunuar vullnetarisht, ndërsa të tjerët ishin detyruar përmes presionit, kërcënimeve dhe shantazheve.
Autoritetet komuniste përdornin gjithashtu kërcënime për humbjen e vendeve të punës, mundësive për shkollim apo akses në barna, për t’i detyruar qytetarët të jepnin informacione.
Megjithatë, publikimi ka nxitur edhe debate.
Kritikat janë se dokumentet janë të paplota dhe se zbulimi i emrave pa sqaruar rrethanat e bashkëpunimit mund të shkaktojë padrejtësi dhe konflikte të reja brenda familjeve.




