temp image 207 temp image 207

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur: Njoftime për Identifikimet e Reja të Viktimave

- Advertisement -

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njofton se pas marrjes së raporteve nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, lidhur me identifikimet e reja, sot ka zhvilluar takime me familjarët e viktimave të zhdukjes me dhunë, së bashku me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorinë e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorin për Persona të Zhdukur.

Qëllimi i këtyre takimeve ishte informimi i familjarëve për identifikimet e reja nga mbetjet mortore të zbuluara në varret masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Pas identifikimit, disa javë më parë, të Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Sali Mëziut, bazuar në raportet e reja të ADN-së dhe vlerësimin e antropologut mjekoligjor, janë identifikuar edhe tri viktima të tjera të zhdukjes me dhunë gjatë luftës, të cilat i përkasin rastit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”: Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazlija dhe Ali (Islam) Haliti.

Në këto momente të vështira, ne ndajmë dhimbjen me familjet e tyre dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta. “Shprehim mirënjohjen për familjet për bashkëpunimin e tyre, si dhe për të gjitha institucionet dhe partnerët për kontributin në këtë proces.

Në vijim priten identifikime të tjera, për të cilat do të njoftohen fillimisht familjet përkatëse, duke respektuar të drejtën e tyre për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të rrëmbyer e të zhdukur me dhunë, si dhe çdo kërkesë të drejtë të familjeve.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të gjitha institucionet e angazhuara në këtë proces mbeten të përkushtuara për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës”, njofton Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -