Avokati Besnik Berisha, përfaqësuesi ligjor i familjes së të ndjerës Arlinda Zekaj, ka theksuar se vrasja e saj nuk duhet të shihet vetëm si një ngjarje e izoluar nga natën e tragjedisë, pasi kishte paralajmërime për rrezikun që i kanosej Arlindës shumë më herët.
Berisha, gjatë deklaratës së tij, përmendi se më 12 nëntor 2025, Arlinda kishte dërguar një mesazh vëllait të saj, duke e njoftuar për një kërcënim që sipas saj, i ishte bërë nga bashkëshorti i saj. “Jetoni më paralajmëroi se krejt Kosova ka me marrë vesh se çka ka me ndodhë me ty, shijoj edhe këto ditë që të kanë mbetur”, citoi avokati mesazhin e Arlindës.
Ai kritikon ashpër mënyrën se si institucionet e trajtuan kërkesën për ndihmë të Arlindës, duke theksuar se megjithëse nuk priste që institucionet të ishin të përsosura, nuk e kishte imagjinuar që paralajmërimet dhe kërkesat e saj për mbrojtje do të injoroheshin në atë masë. “Unë besoj që asnjë qytetar i Republikës së Kosovës nuk ka pritshmëri që shteti ynë është perfekt dhe që institucionet janë pa gabime si ato të vendeve evropiane.
Por, është e papranueshme që djemtë e britmat e Arlindës të injorohen kështu.
Ajo u largua nga kjo jetë në një mënyrë shumë tinzare, por duhet theksuar se jeta e saj nuk u mor vetëm natën kur ndodhi tragjedia.
Kemi prova të prekshme që paralajmërimet kanë filluar shumë herët.
Arlinda e kishte njoftuar vëllain e saj për rrezikun që e kërcënonte”, u shpreh Berisha.
Avokati theksoi se familja kërkon drejtësi, jo vetëm për Arlindën, por edhe për të gjitha gratë e tjera që presin mbrojtje nga institucionet. “Ne jemi të interesuar për drejtësi, jo drejtësi hakmarrëse, por për një person që ka humbur jetën në një mënyrë të tmerrshme, dhe për ato gra që janë në pritje të kësaj drejtësie, si dhe për viktimat që nuk dinë si të kërkojnë ndihmë”, deklaroi ai.
Berisha shtoi se rasti i Arlindës duhet të shërbejë si një thirrje për mobilizim institucional dhe shoqëror, për të siguruar që raste të tilla të mos përsëriten.
Ai gjithashtu tha se, po të ishte prokuror i rastit, do të niste hetimet edhe ndaj bashkëshortit të saj për mundësinë e pjesëmarrjes në vrasje si bashkëkryerës, shtytës apo nxitës.
Ai theksoi se hetimi duhet të përfshijë gjithashtu rrethanat që i paraprinë vrasjes, duke shtuar se përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te moszbatimi i një vendimi.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




