temp image 197 temp image 197

Fillon Përdorimi i Identitetit Elektronik në Kosovë

- Advertisement -

Nga e hëna, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë të pajisen me identitet elektronik në shtatë qendrat rajonale të Agjencisë së Regjistrimit Civil.

Ky shërbim, i cili do të zgjerohet edhe në komunat e tjera në të ardhmen, është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve publike.

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, bëri të ditur këtë lajm përmes një postimi në Facebook.

Ai u shpreh: “Identiteti elektronik ruhet në Kuletën Digjitale, të disponueshme për telefonat Android dhe iOS, ndërsa aplikacioni eSign ofron një nga mundësitë për nënshkrim elektronik të dokumenteve nga telefoni apo kompjuteri.” Ministri Jagxhiu theksoi se identiteti elektronik tashmë është integruar me platformën eKosova, duke mundësuar kyçje të sigurt pa fjalëkalim dhe nënshkrim elektronik të dokumenteve. “Një nga përdorimet e para konkrete është edhe integrimi i nënshkrimit elektronik në procesin e regjistrimit të bizneseve,” theksoi ai.

Kjo është vetëm faza e parë e një infrastrukture më të gjerë, e cila do të pasohet me zgjerimin e përdorimit të platformës në shërbime publike dhe private, lëshimin e vulave elektronike për biznese dhe organizata, si dhe vazhdimin e harmonizimit me kornizën evropiane të identitetit digjital.

Qëllimi është që këto shërbime të mund të përdoren edhe përtej kufijve në të ardhmen. “Vlera e kësaj platforme do të matet me përdorimin e saj: me çdo shërbim të ri të integruar, me çdo biznes që e përdor dhe me çdo qytetar që mund ta kryejë një proces në mënyrë të sigurt, pa pasur nevojë të paraqitet fizikisht,” përfundoi Jagxhiu.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -